MIXHA RAMË ISHTE “ANALIST POLITIK I KOHËS SOTME”

Me shkas vdekjen e Fitim Domit

Qamil Muhaxhiri gjithmonë do të mbetet i njohur me emrin e popullarizuar “Qamili i vogël”, ashtu siç do të jetë personazhi me emrin “Mixha Ramë” për Fitim Domin. Shumë persona mbesin të habitur kur i thua se është vdekur Fitim Domi, ngase e njohin me atë emër fare pak, me përjashtim të një rrethi të ngushtë familjarësh, bashkëpunëtorësh dhe audience më të ngushtë. Gjeneratat më të reja nuk e njohin fare as si humorist, ndonëse mund ta kenë dëgjuar emrin e tij nga më të moshuarit. Kjo ndërlidhet për shumë shkaqe, por dy më kryesoret janë: të palindur në kohën e veprimtarisë artistike të Fitim Domit, por edhe nga mospërputhja e këtij ‘pleqnimi satirik me rrotulla’ të gjeneratës së re. Ndërsa pas luftës Domi ishte shumë më pak i preferuar si humorist, sepse ndërroi edhe vetë gjenerata, edhe lloji i humorit që po pëlqehej nga publiku dhe u rrit oferta me humoristët e rinj, të tipit të “Ditarit të Stupcave” apo si “Ujqit” nga aktori Naser Rafuna. Pas luftës, Domi ishte i angazhuar në Radio Kosovë dhe njëherë ka qenë si mysafir edhe në “Oxygen” të shouman-it gjakovar Besim Dina. Të rinjët e sotëm e kanë një gjuhë më të shkurtër, duan ta përcjellin fjalën me veprim skenik apo humoristik dhe nuk joshen aq ta dëgjojnë dikë teksa flet me metafora dhe alegori të gjata të Mixhës Ramë. Po ashtu, ka ndërruar edhe kodi tematik i sotëm prej atyre që i vënte në spikamë Mixha Ramë. Për të vazhduar më tej, alegoristi satirik ishte njohur në fillim si “Mixha Rrahmon”, duke u identifikuar me një plak katundi tradicional shqiptar, i cili mund të thuhet lirisht se është arketip kolektiv kulturor shqiptar, me përngjasim total të të “moçmit anonim”, siç ia aludojmë shpesh atij referencën në formë të tipit: “Qysh ka thanë ai i moçmi”. Ai edhe vetë e pranon se ka treguar ‘priça’, e që ne të rinjët i kemi të njohura edhe sot situatat kur mblidheshim së bashku për të qeshur dhe tregonim ‘vica’, apo ‘fore’, siç i përdornim këto shprehje herë me origjinë gjuhësore sllave e herë të shtrembëruara e të shqipëruara gabimisht, e herë përdornim fjalë për rrëfime apo mahi satirike nga fjalorët e gjuhëve të tjera turke apo arabe. Mahitë s’ndalen edhe sot, por narracioni dhe kodi tematik kanë ndërruar dhe ato qarkullojnë sidomos tani nëpër rrjetet sociale!

Gjuha alegorike politike në meselet e Mixhës Ramë

Janë të hedhura disa nga humoret e Fitim Domit edhe në kanalin e shikimeve, si “Huni i Gardhit”, “Vula në Pasaport”, “Shartet e turqnisë”, meselet per pleshtin që kur t’ia këput dy krahë s’po nijke, këngët që nuk lejoheshin të këndoheshin nga regjimi i kaluar etj. Në vitet e ’80-ta dhe ’90-ta humori sidomos shprehej përmes alegorive dhe metaforave, për shkak të frikës nga dhuna dhe kërcënimet e regjimit policor jugosllav. Prandaj, edhe Mixha Ramë po tregonte satira, ndërsa në fakt ishte një “lloj analisti politik” i kohëve tona, të cilët komentojnë dhe interpretojmë zhvillimet aktuale politike, në kuptimin që flet për temat politike të ditës, aktualitetin dhe dinamikën e këtyre proceseve. Vetëm dallojnë gjuha e shprehjes dhe thumbi satirik. Edhe vetë në meselet e tij thoshte: “Ju po thoni se mixha po qet kunxha!” Pra, po fliste me rrotlla, jo drejtpërdrejtë. Disa mahi të krijimtarisë kolektive popullore, ai i ka ritreguar dhe interpretuar në mënyrën e vet dhe jo secila mesele e dalë nga goja e tij, domosdoshmërisht ishte krijimtari e tij individuale, por kishte mahi edhe të rrjedhura nga populli dhe brenda shpirtit kolektiv gojor. Zakonisht ka qëndruar në një odë, pranë sofrës dhe me mysafirë. Mysafirët zakonisht e kanë luajtur atë rolin e gazetarit apo bashkëndërtuesit të rrëfimeve satirike të Mixhës Ramë, e që për mua shumë prej tyre nuk ishin satirike por kishte mjaft edhe politike. Ne shihnim në skenat e Mixhës Ramë edhe disa pleq të tjerë pranë tij me plisa të bardhë dhe disa emra këngëtarësh. Nganjëherë mysafirët ia përforcojnë fjalët, ia përsërisin aty ku e shohin të nevojshëm përforcimin dhe ndaljen në alegoritë dhe metaforat më të rëndësishme. Edhe Mixha Ramë zakonisht është me një plis të bardhë, veshje tradicionale popullore dhe pasi përfundonte meselja e tij, ia plaste kënga! Në video-humoret dhe video-këngët për vitin e ri, ka pasur mjaft mesele të treguara nga Mixha Ramë. Luante edhe në disa video-kaseta humori si humorist me Sabri Fejzullahun, Ali Ahmetin etj. Në atë kohë ishin disa humore të njohura si “Qesh e ngjesh” dhe ndonëse jam i ri në moshë, kjo ishte shumë e preferuar edhe për ne në vitet e ’90-ta, ndonëse ishte bërë shumë herët si projekt komik! Në vitet e ’80-a ishin regjistruar sidomos skena humori dhe të ruajtura nga Arkivi i Radio Televizionit të Prishtinës. Mixha Ramë rrahte temat politike, sociale dhe historike, ikjes së shqiptarëve për në vendet e huaja nga represioni serb, e më vonë ironizonte me diasporën kur vetëm e prekte sustën, kryhet veprimi (kishe lavdëroheshin që po bënin punë shumë të lehta, ndërsa punonin punë të rënda fizike),  etj. Shumë prej tyre i gjeni edhe sot në internet, ndërsa më së shumti ka në arkivat e produksioneve të atëhershme muzikore, arkivin e RTP-së, por edhe tek ish kolegët e tij aktorë.

Mixha Ramë jo vetëm ‘pleqëronte’ me satira, por edhe këndonte

Fatkeqësia te ne është se për shumë personazhe që kanë ndërtuar jetën kulturore të shqiptarëve në kohët më të vështira, mungojën studimet kulturore. As nuk janë shkruar biografi, as nuk janë mbledhur e përpunuar materialet e Radio Televizionit të Prishtinës dhe arkivave të Radiove të kohës në ish Jugosllavi. Është një regjistrim i postuar në ‘Youtube’, ku shihet Fitim Domi në emisionin për fëmijë “Shkendia”, ku shkruan se është xhiruar në vitin 1968 nga Tv Studioja Shqip që ishte formuar në vitin 1966 në Tv Beograd, i shoqëruar me disa fëmijë teksa i argëton dhe i dëgjon. Është bërë punë krejtësisht individuale, ku produksione të caktuara kanë postuar në kanalet e njohura të internetit disa nga videoklipet e hershme, këngët e disa ikonave shqiptare në periudhën e shtypjes jugosllave ndaj popujve tjerë, por e tillë mbetet biografia e Fitim Domit, me shumë pak të dhëna. Mund ta gjesh se është lindur në Tiranë, se si ka mbaruar Fakultetin Filologjik nga Departamenti i Gjuhës Angleze, se si ka punuar redaktor në Radion e Prishtinës dhe pas luftës si redaktor i Radio Kosovës, por jo edhe më shumë. Dëgjuam nga mediet se ishte bërë një dokumentar nga ish kolegët e tij dhe na u bë qejfi! Do të donim ta shihnim në RTK dhe do të ishte mirë për brezat e rinj! I ndjeri Fitim Domi ishte edhe humorist, edhe tekstshkrues, edhe këngëtar. Kishte dell për art, pavarësisht ndryshimit të shijes sonë të sotme për humorin dhe aktrimin e vërtetë. Mixha Ramë i ka kënduar disa këngë shumë të lezetshme të muzikës së lehtë qytetare, ku dominonin këngët me motive dashurie. Rrallëkush e njeh atë sot si këngëtar e tekstshkrues, por më shumë si humorist. Këngët e tij të lehta qytetare mund t’i dëgjoni edhe ju sot si: “Pa ty” (https://www.youtube.com/watch?v=mkz_WYe15ss), “Kujtimet”, “Më thuaj dashuni”, “Kjo është bota ime”, “N’emën t’dashunisë”, etj. Bile kënga aq e dashur për të gjithë brezat “E dehur jam” e kënduar nga kryeikona e pëlqyer e muzikës shqipe Nexhmije Pagarusha, është thënë se e ka shkruar vetë Fitim Domi. Mirëpo, kjo këngë duhet thënë se është shumë e diskutueshme për plagjiaturë nga një këngëtar i shquar turk, i cili ishte kompozitor, shkruante tekste dhe instrumentist i njohur, me emrin Dario Moreno, që në kërkimet enciklopedike, tregohet se ka lindur në një familje të madhe hebreje, i cili ka vdekur në vitin 1968 në Turqi. Gjithnjë sipas këtyre shënimeve, Moreno, që emrin e vërtetë e kishte David Arugete, kishte bërë karrierë në Francë, ku këngët e tij përfshiheshin në filma gjatë viteve 1950 dhe 1960 (shih biografinë e tij në uikipedi). Dhe në bazë të kohës kur ka lindur Moreno, absolutisht  ka shumë gjasa që mund të jetë e vërtetë, sepse nëse shihni këngën “Her akşam votka rakı ve şarap” (dëgjoje këngën: https://www.youtube.com/watch?v=np8_c8H9-pg), edhe fjala “sharap” për verën, ishte imituar po ngjashëm. Shtoja këtu edhe kompozimin, melodinë, ritmin dhe thuajse njëqindpërqind është e ngjashme me këngën e Morenos. Madje, nëse ia hedhni një dëgjim kësaj kënge të këngëtarit Moreno, do të befasoheni edhe ju, por edhe do t’i shihni shumë komentues të ndryshëm, që mund të jenë edhe nga vendet e huaja, që e identifikojnë versionin “E dehur jam”, jo si këngë shqipe, por e adaptuar në gjuhën shqipe nga këngëtari turk dhe nuk është se nuk pëlqehet shumë në shqip, madje ndonjëherë tejkalon versionin e parë të Morenos, por nuk konsiderohet autoktone! Sidoqoftë, për shkak të natyrës së kolumnes, nuk dua të merrem me këtë gjë, sepse u takon edhe studiuesve të muzikologjisë shqiptare të merren edhe me plagjiatin e periudhës së viteve të ish Jugosllavisë, kur ka qenë e vështirë të kuptoje nëse një këngë është e huazuar apo jo. Po ashtu, lidhur me këtë version interpretimi “E dehur jam”, nuk pretendoj se diskutimi është i mbyllur, por koha e vdekjes së Morenos në vitin 1968, të shtyn të besosh se si ka mundur të jetë ai që ka huzuar nga gjuha shqipe, kur kjo këngë sidomos bëhet e popullarizuar nga vitet e ’70-ta e këtej! Sidoqoftë, delli i Fitim Domit për të shkruar ka qenë në shumë tekste dhe për këtë version është mirë të hulumtohet më tej, sepse nuk është tema sot dhe mund të jemi edhe gabim!

Jeta e dhimbshme e Fitim Domit

Njëri ndër ata që e njihte shumë mirë Fitim Domin, shprehet kështu lidhur me jetën private dhe biografinë e ‘Mixhës Ramë’: “Fitim Domi ishte nip i Avni Mulës dhe nëna e tij po ashtu ishte e njohur ndër të parat këngëtare të asaj kohe. Pra, Avni Mula, kompozitori i shquar, ishte daja i Domit! E kishte mik të veçantë këngëtarin e njohur të këngës shqipe, Ismet Bogujevcin. Pra, ishte i rrethuar me gjene këngëtarësh, por edhe me miq këngëtarë. Domi kishte një jetë të ndërlikuar dhe të dhimbshme familjare. Jetoi me vite të tëra në Detroit të SHBA-së. I martuar tri herë. Gruaja e parë serbe pësoi aksident dhe vdiq në mënyrë tragjike bashkë me fëmijët. Ky rast e goditi dhe e pikëlloi shumë Domin. Më pas ishte martuar përsëri dhe kishte fëmijë nga dyja gratë tjera shqiptare. Njëra ndër ish bashkëshortet e tij ishte edhe këngëtare e njohur nga Prespa, por fati e deshi që përsëri të mbetej beqar edhe pas dy martesave të tjera të njëpasnjëshme.” Ndërsa lidhur me preferencat, talentet e tjera të Domit dhe problemet me të cilat ballafaqohej së fundi, ai rrëfen: “Fitim Domi e ka dashur shumë futbollin dhe e ka pasur ndër hobet më të dashura. Po ashtu, e ka njohur shumë mirë politikën. Ndërsa, pleqërinë e kishte të rëndë, madje së fundi, kishte vështirësi të mëdha të harresës.” Domi ishte pensionuar në SHBA!

FUND

Fitim Domi do të kujtohet si personazh shumë i veçantë në jetën kulturore të Kosovës. Kushdo që do të merret me studimin e ikonave shqiptare në ish Jugosllavi, do ta ketë të detyrueshëm faktin edhe që të merret me Fitim Domin, sepse atë e gjejmë si tekstshkrues, këngëtar, humorist dhe që ka krijuar një personazh si “Mixha Ramë”, duke lënë gjurmë të pashlyeshme, në mos gjë tjetër, në kujtesën tonë kolektive. Meselet e tij ndonëse janë quajtur satirike, për mua sidomos në vitet e ’90-ta janë kryesisht politike dhe ndonjëherë me guxim të pashoq! Versionin se zgjidhja e çështjes së Kosovës nuk do të mund të zgjidhej pa luftë, e gjejmë në meselet e tij të video-kasetave që bëheshin për vitin e ri dhe videokasetat e tjera. Ja një të tillë po e lëmë për fund: “Mixha Ramë me Sabri Fejzullahun, ka një skenë ku Sabriu vjen me një mik të tij me veturë si gazetarë prej televizionit, me i pyetën banorët e një fshati, ndërsa teksa ndalen, Mixha i kërkon t’ia lexon një poezi dhe për çdo varg ndalet së komentuari me metafora dhe alegori. “Të kthjellohet lumi/në rrjedhën e vet/peshkim në të turbullt/fare të mos ketë”, ndërsa Mixha Ramë ia kthen komentin: “Hajt se nuk e lajnë me u kfjellën” dhe “Ujku don mjegull djali jem”. Dhe vazhdon me pyetjen drejtuar Fejzullahut: “A e din çka dashta me thanë? Vetë i kanë në dorë gazetat, televizionet. Dhe Fejzullahu vazhdon përsëri leximin e poezisë politike: “Njerëzit e dinë ç’janë këto marrëzira dhe presin të vijnë çaste më të mira”. Dhe Mixha ia kthen: “Po de po, ymyti është më i madh se Murati”, veç për ditë ma t’mira…Dhe ndalet! Aludon se vetëm duke shpresuar, pa luftuar, nuk ka liri!

14 qershor 2014, Kosova Sot

About Avni Rudaku

Avni Rudaku është i lindur më 1984 në Gjilan, Avniu ndryshe i njohur si Rud-Fiqiruesi, është “Bachelor i Psikologjisë” (2006), “Bachelor i Sociologjisë” (2008) dhe “Master i Sociologjisë” (drejtimi akademik, 2012) në Universitetin Publik të Prishtinës. Rudi ka botuar librat: “Poezi pa frymë” (2010) dhe “Pa frymëzime” (2011). Rudi njihet për analiza shkencore, publicistikë, poezi, analiza politike, kritika arti dhe recensione letrare. Aktualisht është kolumnist i rregullt i shtojcës javore për kulturë në gazetën “Kosova Sot”. Aktiviteti profesional i Rud-Fiqiruesit është i pasqyruar në ditarin e tij në www.fiqiruesi.wordpress.com
This entry was posted in Art, Kultura dhe Shoqëria, Memorie Kolektive, Muzika dhe Shoqeria and tagged , , , , , . Bookmark the permalink.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s