TË JETOSH ARTISTIKISHT!

Me shkas vizitën në Holandë

Shpeshherë kur flasim për të bukurën në përgjithësi, mendja na asocion me vende të caktuara për t’i shijuar ato (në ekspozita, në shfaqje teatrore, në kino, në muzeume, etj.), ose në persona të caktuar (p.sh., misterët e miset e botës, fotografi të personave atraktiv etj.), por jo edhe si mënyrë jetese. Të jetosh në mënyrë artistike është arritja më e madhe që mund ta ketë shoqëria në tërësi. Ne shpesh ndodh në Kosovë të mos shohim as ekspozita artistike në disa komuna që organizohen për ndonjë ngjarje, por kjo është shumë më pak e dëmshme për sytë e shpirtin tonë, në krahasim me hapësirat e shëmtuara publike në lokalitetet ku jetojmë dhe veprojmë për secilën ditë. Në vizitën që i bëmë Holandës, domosdoshmërisht lindte fjalia: Ja si jetohet artistikisht! Të jetosh artistikisht do të thotë të kesh hapësira të bukura publike, të kesh hapësira për të ecur të vetëm, me familje apo me fëmijët tanë ‘përdore’; të jetosh artistikisht do të thotë të të kënaqet syri teksa sheh rrugët me tulla të kuqe dhe kombinimet e ndryshme të ngjyrave; të kënaqesh gjersa sheh se si çdo lagje ka miniparqe, lodra e lojra për fëmijë, pushimore për të moshuar apo këdo që don ta shfrytëzon falas hapësirën e përbashkët; të shohësh se si janë vendosur ndërtesat me planifikim të duhur urbanistik, se si janë të ndërtuara shtëpitë në lagje të ndryshme, se si janë të rregulluar kopshtet e tyre, e tjerë e tjerë. Të jetosh artistikisht do të duhej të nënkuptonte të jetuarit e përditshëm pranë të bukurës, i rrethuar me të ngado, sa herë të dalësh në rrugë, në dritare (në frëngji), në trotuare, në rrugë kryesore e periferike, në qendër të qytetit, në male etj.

Shtëpitë holandeze

Ka disa dallime të konsiderueshme të shtëpive gjermane dhe atyre holandeze sa i përket hapësirës për njësi banuese. Holanda si vend i dendësive të mëdha demografike, duke u tkurrur në ambientet personale, kishte dhënë maksimumin për hapësirat e gjera publike! Duke u njohur si vend me prodhime të hatashme bujqësore, ka racionalitet në maksimum për të mos zënë hapësira rreth banimit! Nuk është e habitshme të shohësh aq shumë mrekulli artistike në vendet si Holanda, sepse nuk mund të kesh hapësira publike pa e lënë pak anash interesin personal për ta dominuar hapësirën publike. Shtëpitë holandeze në disa vende që vizituam, thuajse ishin të gjitha me tulla, ku dominonin ngjyra e kuqe, e hirtë, e verdhë etj. Shtëpitë janë mjaft karakteristike, ku tullat dominojnë tërë infrastrukturën e shtëpive private, objekteve private dhe tërë infrastrukturës fizike. Kështu dukej edhe me shtëpitë gjermane në disa qyteza e qytete më të vogla, ku tulla përbënte të zakonshmen si material ndërtimor i shtëpive. Ka edhe materiale ndërtimore vetëm me beton, siç e pamë kishën në Brunssum, e cila ishte e ndërtuar me material betoni dhe kishte hijeshi sa të doni, por gjëja më e veçantë që pashë në materialin ndërtimor në Holandë ishte ndërtimi i supermarketeve, shtëpive, kishave, muret e pompave të benzinit, e tjerë e tjerë, të gjitha me tulla. Kishte stilizime ngjyrash të ndryshme, por emëruesi i përbashkët ishte se gjithçka ishte e përbërë nga tullat! Dhomat ishin të vogla në dimensione banimi, por dukja e jashtme, shtëpitë pa asnjë rrethojë, qoftë hekura, beton, etj., ngjitja e shtëpive ndërmjet vete, janë karakteristika të veçanta holandeze të banimit. Në disa lokalitete thuajse shumë pak mund të shihje ndërtime të larta. Secili fshat, qytezë apo qytet, ka kisha. Kishat janë me objekte të madhësive të ndryshme, por edhe shumë monumente në qendra të fshatrave a qyteteve janë me simbolet e kryqit, Jezu Krishtit etj. Është veçori edhe e disa familjeve që të vendosin kryqin pranë ose në murin e jashtëm të shtëpisë. Vendbanimet janë shumë të qeta, nuk mund të shohësh aq shumë njerëz siç jemi mësuar në vendin tonë. Ndonjëherë thua: ah bre t’i kishim këto hapësira publike në Kosovë dhe do të kënaqeshim sepse do të mund t’i shfrytëzonim shumë më shumë, nga koha e lirë e papunësia?! Një veçanti tjetër e ndërprerësit të rrymës elektrike në banjot holandeze, por ndonjëherë edhe të koridorit apo dhomave është fakti i ndërprerësit me tojë të gjatë, ku ka ndërprerje pak centimetra më poshtë ndërprerësit të dritës, me pak plastikë, në mënyrë që duart e lagura të mos ju lëndojnë gjatë kontaktit me elektricitetin. Kjo hetohet shumë lehtë nga secili vrojtues i këtyre detajeve teknike. Duket e thjeshtë, por mbetet ide e mirë e heqjes së frikës për kapje nga elektriciteti gjatë kontaktit me duart e lagura përmes tojës si tërheqje poshtë-lartë!

TË JETOSH NË MËNYRË ARTISTIKE DHE SPORTIVE

Të shohësh se si nxënësit e shkollave të mesme duke përfunduar orarin mësimor gjatë ditës dhe të shohësh pamjen e vërshimit të të gjithëve me biçikleta, nuk mund të mos të thuash se këtu bëhet jetë artistike e sportive! Në brendi të vendbanimeve ka shumë pak vetura në qarkullim, me përjashtim të kohës kur dalin apo shkojnë në punë. Holanda duket vend ideal për biçiklistët. Prindërit me biçikletë mund t’i shohësh duke ngasur me fëmijët e tyre po ashtu me biçikletë; të moshuarit e shtyrë në moshë nuk ecin të kërrusur, por mirëmbajnë veten e tyre, kanë kujdes shëndetësor (mund të shohësh edhe pritje të gjata të atyre pas moshës së mesme duke marrë vaksina kundër gripit vjeshtor e dimëror, si parapërgatitje imunitare e organizmit të tyre). Gjatë natës, biçiklistët pajisen me drita. Ka shumë biçiklistë që kanë edhe helmetat e tyre mbrojtëse në kokë dhe ka shumë parkingje për biçikleta. Nuk ka vend që s’ka vendlidhje dryri për biçikleta. Përveç biçiklistëve me drita gjatë natës, gjeni shumë vrapues të moshuar e të rinj, të cilët janë të veshur në mënyrë sportive, vrapojnë në shtegun përreth rrugës dhe mbajnë drita në trupat e tyre për t’u mos u lënduar nga ndonjë biçiklist apo ndonjë gjë tjetër. Biçiklistët kanë të gjitha favoret e tyre karshi automjeteve, madje ndonjëherë të krijohet përshtypja se janë më të shenjtë edhe se vetë këmbësorët! Përveç kësaj, kemi shumë rrugë speciale vetëm për biçikleta, ku përsëri tulla mbizotëron materialin ndërtimor të shesheve e rrugëve. Gjithçka është tulla! Tullat janë kudo në infrastrukturën e holandezëve, por edhe në Gjermani duket mjaft i shprehur, sidomos në vendet afër zonave kufitare, ku ndikimet reciproke janë më të fuqishme. Kudo mund të shohësh jetë artistike dhe sportive, të të gjitha kategorive shoqërore! Plakat dalin e shëtisin me qen, ngasin biçikletën, ngjyrosin flokët. Nuk duken pleq të plogështuar, të mbyllur nëpër shtëpi, me aq shumë ankesa fizike siç ndodh te ne. Këtu një e keqe e vetme mbetet vetmia e thellë, por edhe kjo kalohet me shumë mekanizma institucionalë të shtetit dhe kishave. Kisha ka përreth banesa ku përkujdeset për pleqtë dhe ofron shërbime sociale në mënyrë të jashtëzakonshme. Ajo i jep ndihmë të madhe shtetit për personat e moshuar, personat në nevojë, fëmijët jetimë, etj. Kisha duke qenë në të kaluarën me aq shumë prona, pasuri dhe kapital social e kulturor, ajo është e pranishme simbolikisht mjaft shumë në Holandë, me përjashtim të ndikimit klasik. Ajo pas rënies së madhe në Mesjetë, ka gjetur veten në rolin e ri, nga ai politik në atë social. Kisha duke qenë se ka pasur shumë prona, ka ndarë ato edhe për pronën publike e komunat, e disa i jep edhe me qera falas apo me ndonjë shumë të vockël, prandaj roli i saj mbetet në dimensione të tjera dhe shteti respekton e bashkëpunon për lehtësim të jetës së qytetarëve. Ka shumë kisha që mund t’i gjeni pa çelës, të luteni e të pushoni në to dhe askush të mos ju pengojë! Të moshuarit e vetmuar mund të gjejnë ngushllime këtu!

Referencat mbi Holandën

 

Van Gogh mbetet ndër më të famshmit holandezë, sall pa menduar më gjatë. Ndër prioritetet e vizitës ishte edhe vizita e muzeut të këtij piktori post-impresionist që revolucionarizoi artin botëror dhe u bë emër mësimi për shumë breza kudo në shkolla. Holanda njihet për Philips-in, për biçikletat, për tokën krejt të rrafshtë, për Van Gogh-un, për tulipanët, për lidhjen shpirtërore nacionale me ngjyrën e portokalltë, për liberalizim dhe legalizim të marihuanës ku secili të pyet sapo i tregon për këtë vend: “A ngrehe mariahuanë bre?!”

Diçka për Kosovën

Ambienti publik në Kosovë mbetet shumë i dhunshëm, shumë i zhurmshëm, shumë i papërshtatshëm për fëmijët tanë. Fëmijët kosovarë po ta kishin një sistem dhe ambient më të mirë si i sojit holandez, do të ndiheshin shumë më mirë dhe shumë më pak të frustruar! Kur krahason Kosovën për ambientet publike që ka, qoftë për fëmijët, për të rriturit e të moshuarit, të vjen shumë zor të mendosh se bëhet jetë normale! Fëmijët tanë shpesh s’kanë ku të ecin, s’kanë ku të luajnë, s’kanë ku të dalin me prindërit e tyre dhe hapësirën publike ia kemi dhunuar atyre, e lëre më vetes sonë si të rritur! Pamja e lokaliteteve tona është larg secilit standard të synuar për të bërë jetë artistike dhe sportive! Vendosja e monumenteve, renditja e njësive banuese është kaotike! E kishte pas thënë një i huaj se Kosova është kaos i organizuar! Kishte të drejtë në ironinë e tij paradoksale! Vërtetë na duhet shembje e këtij rendi të shëmtuar arkitektonik të hapësirave publike. Na duhet vërtetë rritje e kujdesit për të jetuar më artistikisht në përditshmëritë tona! Me iu afrue bile pak Holandës!

8 nëntor 2014, Kosova Sot

Advertisements
Posted in Art, Kultura dhe Shoqëria, Kultura dhe Shteti | Tagged , , , , | Leave a comment

SI E ‘BËRI’ TEZJA POET NIPIN E SAJ?

Me shkas shkruesit, leximin/lexuesit, teknologjinë dhe rrjetet sociale

I kam ca miq të gjeneratës më të moshuar dhe që kanë shkruar qe tridhjetë e katërdhjetë vite. Ata ankohen me leximin aq të rrallë të gjeneratave të reja. Ata rrëfejnë se si në kohën e tyre, gjenerata e tyre shkruante pak e lexonte shumë. Ata ankohen që po shkruhet shumë dhe s’po lexohet shumë, apo s’po lexohet sa po shkruhet! Janë dy grupe kritikësh rreth raportit të të lexuarit me të të shkruarit! Të parët kritikojnë shkruesit e shumtë vetëm si kuantitet, ndërsa grupi i dytë sulmon dobësinë e shkrimeve të këtyre shkruesve. Të parëve u pengon që po ka aq shumë shkrues dhe për mendimin tim këtu hyjnë edhe shumë shkrues të gjeneratave të moshuara dhe të mesme, të cilët kishin dikur monopolin në këtë mjeshtëri intelektuale dhe disi ndjehen sot edhe të tronditur nga humbja e pushtetit në penën e tyre. Sikur bukurshkruesve që u ka humbur fuqia pasi doli “Word” dhe “Times News Roman”, ashtu edhe shkruesve të rrallë, u humbi autoriteti që kishin dikur! Jetojmë në kohën kur teknologjia dhe zgjerimi i lirisë së të shprehurit si rezultat i ndryshimeve të mëdha teknologjike, politike, ekonomike e shoqërore, arriti t’ia mundësojë shumë individëve të gjejnë hapësirat e tyre publike për të shprehur mendimin e tyre rreth çështjeve të ndryshme. Jetojmë në kohën e gazetarisë qytetare dhe ku roli i intelektualëve të rrallë bie dukshëm! Nuk lexohet vetëm një shkrimtar që cilësohet si “baba i kombit”, por as edhe një publicist që na imponojnë medie të caktuara, por edhe një person anonim, i cili poston ‘statuse’ në rrjetet sociale (facebook, twitter etj.) dhe ndikon në audiencat që i krijon sipas vullnetit të tij. Prandaj, “baballarët e kombit” përveç që sot janë në konkurrencë me “baballarët e letërsisë globale” (për shembull, me nobelistët francezë, amerikano-latinë, japonezë, etj.), këta janë në konkurrencë edhe me “njerëzit anonimë”, të cilët kanë ndikimin e tyre në masë përmes mundësisë së postimit të ‘statuseve’ të tyre në rrjetet sociale dhe mund të gëzojnë popullaritet madje më shumë se akademikët tanë të tërhequr nga jeta aktive publike! Pra, kemi decentralizim autoritetesh në të shkruarit e shkrimeve dhe rritje pluralizmi shkruesish. Fatkeqësia mbetet se në vend se të krijonim mozaik më të pasur idesh, ndonëse ka aq shumë shkrues, apo më mirë të themi, në kushte të këtij kuantiteti shkrimesh, nuk rrjedhi rruga e sendërtimit të shkrimeve më cilësore. Përkundrazi, u shfaqën shumë shkrues, ku u shtua dezorientimi dhe neveria te lexuesit. Lexuesi u ballafaqua me lloj-lloj shkruesish dhe kaloi edhe në faza të irritimit të thellë ndaj shumë shkruesve, duke rritur konfuzionin dhe paqartësinë e tij vlerësuese! Lexuesi në këtë kohë bombardohet me lloj-lloj shkruesish, të cilët me shumicë nuk janë kompetentë për gjërat që flasin, nuk janë në pozicione të pavarura! Në këtë kohë, na shfaqen “analistët e pozitës” dhe “analistët e opozitës”, por jo analistët pa këtë mbiemër! Pra, nga shpresa për rritje kualiteti të shkrimeve, u riprodhuan në mënyrë serike “shkrues të rreshtuar”, “shkrime militante” apo “përmbatjeje tifozëllëqesh’. Po ashtu, u krijua përshtypja se të shkruash është gjëja më e lehtë sesa të lexosh, prandaj sot keni më shumë shkrues sesa lexues! Në anën tjetër, gjersa dikur kishte komisione vlerësimi rreth publikimit të një shkrimi dhe nevojës për të dalë në sita të njëpasnjëshme të kritikës (profesionale, por edhe ideologjike), sot edhe kritika është në krizë të thellë. Në këtë kontekst transformimesh të mëdha të hapësirës publike ku rritet mundësia e lirisë për të ecur me shkronja nëpër të për secilin, njerëzit filluakan të lidhen me emra të caktuar shkruesish dhe tashmë kanë referencat e tyre personale. Shumë lexues sot lexojnë emra të caktuar, pavarësisht se çfarë shkruajnë! Madje, nëse dikush e ka lexuar një autor që nuk i ka pëlqyer, vetëm ndonjë kurreshtje e caktuar, se nuk e lexon fare më atë. As nuk e merr mundin bile!

Teza e ‘bëri’ poet nipin e saj!

Me zhvillimin tekniko-teknologjik shfaqet edhe një fenomen shumë i rrezikshëm i shkruesve. Ja një shembull: Një çun i ri ka hapur faqen e tij të fejsbukut. Ai shton miq nga familja, farefisi, bashkëmoshatarë, shokë e shoqe të klasës, e kështu me radhë. Një ditë prej ditësh, i poston dy vargje poetike në ‘statusin’ e tij dhe tezja që është mike në fejsbukin e tij, (që për shkaqe krejtësisht objektive, p.sh., ishte viktimë e rrethanave të vështira socio-ekonomike dhe politike, dhe nuk pati fatin të arsimohej as në shkollën e mesme), i komenton: “Djali i tezës, je poet i mrekullueshëm!” Këtij çunit, i vijnë edhe qindra komente që e lartësojnë poezinë e tij, që vijnë kryesisht me bazë familjare-emotive. I vijnë vlerësime megalomane nga njerëz tek e fundit, edhe jokompetentë në kritikën letrare. Dhe çfarë ndodh në mendjen e këtij çunit të ri? Fillon të mendojë: “a mos vallë jam poet e nuk e pasna zbuluar deri më tash?!”, pasi që po merr vlerësime maksimale nga qindra miq të fejsbukut! Një ditë tjetër, i poston edhe disa rreshta të tjerë poetik. Dhe përsëri e përsëri, merr qindra komente që e vlerësojnë lart poezinë e tij. Në anën tjetër, poezitë e tij janë shumë të dobëta në nivel artistik, stilistik, përmbajtjesor, e kështu me radhë. Por ky çuni i ri, tashmë fillon ta luajë rolin e poetit. E identifikon vetveten si poet dhe të tjerët në fejsbuk e quajnë nëpër komente si “poet i mrekullueshëm”! Ndoshta ai është krejtësisht i shkathtë në fusha të tjera, por poezinë fare nuk e njeh dhe nuk e vjershon me ndonjë veçanti artistike-letrare, por ja që miqtë e fejsbukut ia japin këtë epitet “poet i mrekullueshëm”! Ai fillon të mendojë dita-ditës se është poet. Fillon të ndjek manifestimet letrare nëpër Kosovë! Fillon të konkurrojë në konkurse letrare, përplaset me juritë sepse nuk po e vlerësojnë poezinë e tij, si e kanë vlerësuar qindra komentues të fejsbukut dhe “tezja e tij inkurajuese për t’u bërë poet nipi i saj”! Nga zemërimi me këto juri dhe për t’ia dëshmuar së pari vetvetes, e së dyti të tjerëve, e gjen ndonjë të njohur dhe të gjithë familjarët e tij ia bëjnë dhuratë botimin e librit të parë në gjuhë të huaj! Ky çuni përkthehet në gjuhë të huaj dhe ndërkombëtarizohet! Tash me të është vështirë të flasësh, sepse fjalia e parë e tij është: “është përkthyer në gjuhë të huaj!” Pra, këtu kemi një rast se si “vrasim të rinjtë tanë”, ngase i vlerësojmë emocionalisht dhe i bëjmë të mendojnë se duhet luajtur rolin e etiketave tona vlerësuese, prandaj i bëjmë “poetë të zorit”, “shkrues të mrekullueshëm”, e të ngjashme. E shihni se si shfaqet ana e errët e formimit të shkruesve me baza krejtësisht familjare dhe emocionale të vlerësimit (nepotizmi)?! Prandaj, sot ka më se krizë të shkruesve! Ka shkruesish që asgjë të re nuk thonë, por vetëm ndryshojnë sinonimet! Të tjerë janë patetikë-romantikë, përshkrues dhe aspak kreativ. Rritja e këtyre të fundit në hapësirën publike ka shtuar irritimin, zemërimin, zhgënjimin, indiferencën dhe përqeshjen nga lexuesi.

“HAJT SE KREJT JANË NË INTERNET, ÇKA PO LEXON?!!!”

Interneti ndonëse ka lehtësuar marrjen e diturive, e ka bërë po aq të pavlefshëm këtë proces të përvetësimit të diturive. Është krijuar një iluzion që “nuk ka nevojë të lexohet, sepse kur të më duhet, e gjej në internet”. Dija është në funksion të zhvillimit njerëzor, përmbushjes shpirtërore, njohjes së botës, evoluimit të trurit, aktivizimit të sinapsave dhe neuroneve, e jo vetëm për të bërë “gara fëmijësh” se kush është më i dijshëm. Ne akoma s’jemi shkëputur në shoqërinë tonë, nga mentaliteti me “zënë hoxhën”. Ka qenë praktikë që në oda, tubime dhe ndeja të familjeve tona, hoxha është shfaqur i gjithdijshëm dhe ka pasur gjithmonë një tip individi i cili ka provokuar hoxhën me pyetje, ndonëse pyetësi asnjëherë nuk e ka pasur si qëllim më vete, të zotëruarit e dijes së re, por vetëm për ta “zënë ngushtë hoxhën” para pjesëmarrësve në atë mjedis. Pra, kur dija bëhet vetëm për t’u kënaqur gjatë kundërshtimit, nuk është kulturë e vërtetë e nxitjes së pasionit për të kërkuar dijen. Interneti ka relativizuar zotërimin e dijes dhe informacionit. Duke qenë se në makinën e saj të kërkimit ‘google.com’, ‘wikipedi’, e aq shumë faqe librash online, është depozituar dija e botës, popujve dhe kulturave të ndryshme, atëherë njeriu i sotëm bashkëkohor e shfrytëzon dijen më shumë vetëm në aspektin pragmatik dhe të drejtpërdrejtë. Vetëm kur i duhet atij! Ka raport reaktiv, por jo edhe proaktiv ndaj dijes! Mirëpo, për ata që duan të kërkojnë, është bërë mundësi e jashtëzakonshme për të nxënë dituri të reja dhe për t’i verifikuar vazhdimisht dijet e vjetra. Interneti po ashtu na ka shtuar dije të paverifikuara nga burime të dyshimta dhe të njëanshme. Njerëzit ndonëse në internet mund të gjejnë autorë të ndryshëm për një fushë, janë të prirur të klikojnë vetëm në autorët me të cilët ndajnë besime të përbashkëta. Interneti vetëm i ka forcuar kërkuesit në dijet që ua forcojnë pozicionet që kanë, por jo edhe nxitur pranimin e shumëllojshmërisë së dijeve. Ata që janë besimtarë, shkojnë në faqe të caktuara të dijes dhe shumë pak merren me kundërshtarët e bindjeve të tyre. Ata që janë ateistë, bëhen pjesë e faqeve të ateistëve dhe nuk provojnë të shohin religjionin sipas mendjes së tyre. Ata që janë majtistë radikalë, ndalen te dituritë e Marksit, Zhizhekut, etj., por jo edhe të filozofë të djathtë. Pra, interneti nuk ndikoi në rritjen e lexuesve me burime sa më të ndryshme dhe sa më të gjera mbi përvetësimin e dijeve, por vetëm i lehtësoi kanalet e kërkimit për njerëzit tashmë të pozicionuar në aspektin filozofik, religjioz, politik, ideologjik, kulturor, ekonomik, etnopsikologjik, nacionalist, etj. Interneti ia humbi ‘frymën’ dijes po ashtu. Gjersa adhuruesit e bërjes së ëmbëlsirave shkruanin në disa fletore klasike recetat për rovane dhe shkëmbenin shoqja-shoqes këto dituri recetash, sot në internet, ka faqe të shumta ku merret dija për përgatitjen e ëmbëlsirave, pa nevojën për komunikim me ndonjë familjar apo shoqe. Rrjedhimisht, kjo ka mundësuar që individi të atomizohet, individualizohet dhe të pavarësohet mjaft shumë në marrjen e diturive nga të tjerët, ndërsa interneti e ka rritur ndërvarshmërinë e kërkuesit të dijes me veten e tij. Në fakt, këtu interneti në raport me dijen, është bërë më narcizoid, sepse e ka shkëputur në masë të madhe rolin e mësimdhënësve, autoriteteve tradicionale të shpërndarjes së dijes, etj., me kërkuesin e dijes. Sot njerëzit nuk kanë nevojë të kërkojnë ndonjë në familje që di të lidh kravatën, por i mjafton laptopi, klikimi në kanalin e popullarizuar të videove ‘youtube.com’ dhe të mësojë të gjitha hapat e duhur se si lidhet kravata, madje të ilustruar me numra se cili është hapi i parë, i dytë, e kështu me radhë. Jetojmë në kohën, jo të leximit maksimal, por mundësive maksimale për të lexuar dhe pa e shfrytëzuar këtë rast! Sidomos fatkeqësi mbetet edhe mosleximi nga ana e atyre që shkruajnë! Dhe argumenti kryesor pse ka aq shumë shkrime dhe aq pak cilësore është fakti se po këta shkrues nuk po lexojnë sa dhe si duhet!

Kosova Sot, 25 tetor 2014

Posted in Art, Kultura dhe Shoqëria, Kulturë dhe Teknologji | Tagged , , , , , , | Leave a comment

PAGA APO SUBVENCIONE MARRIN AKTORËT KOSOVARË?

Me shkas paditë e aktorëve gjakovarë për moskryerjen e obligimeve financiare të komunës

AKTORËT E TEATRIT TË GJAKOVËS PADISIN KOMUNËN

Jemi rritur me filmat e shfaqjet teatrore ku luanin disa emra që tash po më dalin para kujtesës, Hadi Shehu, Jahja Shehu, Sylejman Lokaj, Hysen Binaku e të tjerë, me vendbanim nga Gjakova. Hadin Shehun e shihnim duke luajtur në disa filma ku trishtoheshim si fëmijë nga ‘dhuna që i ushtrohej personazhit të tij të luajtur’, si në filmin: “Vrasësit bëjnë dasmë natën”! E rrahnin spiunët dhe policia jugosllave, dhe gjithmonë kemi krijuar dhembje për të edhe kur e kemi parë në jetën reale! Hadi Shehu janë gjenerata e atyre që punuan në kushte shumë të vështira në atë kohë, por nuk u bë më mirë as pas lufte për ta. Tmerrësisht edhe më keq! Edhe më shumë iu vështirësuan rrethanat e fushëveprimit teatror e filmik kësaj gjenerate, sakaq motivimi dhe vlerat teatrore u shembën në dysheme. Pritej diçka tjetër! Askujt mendja nuk do t’i ikte se do të protestonin në vitin 2013, me shkas Ditën Botërore të Teatrit, për kaosin teatror, mungesën e mbështetjes financiare nga komuna dhe MKRS, apo se do të angazhoheshin me avokatë për të paditur institucionet e vendit për mosfinancim të punës së tyre teatrore gjatë kësaj kohe. Keni dëgjuar që së fundi, janë angazhuar disa aktorë të Teatrit të Gjakovës, i cili me Ligjin e vjetër për Teatrin, në nenin 50, pika a), e kategorizonte si “Teatër profesionist i qytetit të Gjakovës”. Dhe po në këtë nen të ligjit paraprak, në pikën c) thuhej: “Veprimtarinë e tërësishme të teatrove profesioniste të qyteteve MKRS mund t’i mbështes financiarisht mbi 50% analog me buxhetin e qytetit.” Me nenin 5 të Ligjit të ri për teatrot, ndonëse nuk përmendeshin sikur në Ligjin e vjetër teatrot me emër të qyteteve për të përcaktuar edhe me ligj se cilët teatro janë me statusin “Teatër i qytetit”, përveç që përmendet për Teatrin Kombëtar të Kosovës, që ka selinë në Prishtinë, duke e përcaktuar shtrirjen hapësinore të këtij objekti. Teatri i Gjakovës ka sjellur emra të njohur të kontributdhënësve në teatër dhe i njohur si qytet me shumë artistë të fushave të ndryshme, vazhdon të ketë barriera që kanë vënë në udhëkryq zhvillimin dhe dinamikën e jetës teatrore atje. Përveç faktit që aktorët e Teatrit të qytetit të Gjakovës nuk motivohen për të bërë shfaqje teatrore, përkundër vullnetit dhe pasionit të tyre për mbajtur gjallë teatrin atje, atyre po ashtu u vështirësohet edhe dalja prej këtij qyteti, të paktën në teatrot e qyteteve të tjera të Kosovës, që të reprizojnë shfaqjet e tyre, në mënyrë që publiku gjithëkosovar të shoh shfaqjet që krijojnë ata. Dalin ndonjëherë në ndonjë festival të një komune tjetër, por shumë rrallë! Në këtë kolumne ne do të merremi me atë pse kanë të drejtë disa aktorë, të cilët nuk janë paguar për kohë të gjatë, të ngrehin padi për moskryerjen e obligimeve financiare që ka komuna ndaj tyre. Do të provojmë të argumentojmë në bazë të ligjit dhe dobisë kulturore-artistike se pse aktorët e Teatrit të Gjakovës dhe të tjerët, kanë të drejtë të kërkojnë mjetet për punën e tyre si aktorë rezidentë të teatrove që u takojnë aktualisht, apo u kanë takuar në këto vitet e fundit.

PSE KANË TË DREJTË AKTORËT REZIDENTË TË GJAKOVËS DHE TË TJERËT?

  1. Argumenti kryesor dhe më i rëndësishëm bazohet direkt në ligjin në fuqi, i njohur me emrin “Ligji për Teatrot”. Që në hapje të këtij ligji, në nenin 1, tregohet qartë qëllimi që vihet në jetë ky ligj. Dhe ky qëllim përshkruhet si në vijim: “Ky ligj garanton të drejtën e lirisë krijuese për të gjitha format dhe shprehjet artistike skenike dhe njëkohësisht rregullon themelimin, organizimin, funksionimin, drejtimin, menaxhimin dhe financimin e teatrove, pozitën e artistëve teatrorë dhe çështje të tjera të rëndësishme për teatrot.” Posa e lexojmë këtë paragraf, në e gjejmë se këtu parashtrohet edhe çështja e financimit dhe pozita e artistëve teatrorë. Në këtë qëllim hynë edhe financimi i aktorëve dhe nuk mund të përjashtohet edhe ndarja për punën e tyre në teatrot e qyteteve dhe Teatrin Kombëtar të Kosovës në Prishtinë, por me një dallim të lartë në mes tyre.
  2. Neni tjetër që u jep mbështetje aktorëve rezidentë gjatë padisë së tyre gjyqësore është sidomos neni që përcakton kufijtë e teatrove të qyteteve për numrin e aktorëve rezidentë, siç është neni 7.5 i Ligjit për Teatrot. “Teatri i qytetit mund të ketë ansamblin rezident prej së paku dhjetë (10) dhe më së shumti njëzet (20) aktorëve.” Mirëpo, në rast se lënda shkon në Gjykatë nga aktorët e Teatrit që qytetit të Gjakovës, problemi në interpretimin e këtij ligji mbetet fakti se ky nen e jep njëfarë fleksibiliteti dhe nuk precizon detyrueshmërinë që Teatri i Qytetit të ketë ansamblin rezident. E dalloni këtu një fjalë që është e padurueshme, e papranueshme dhe e papajtueshme për të gjithë aktorët rezidentë të Teatrove të qyteteve të Kosovës: “mund”! Në këtë nen nuk thuhet “Teatri i qytetit duhet të ketë ansamblin rezident…”, por “Teatri i qytetit mund…” Po të ishte fjalia e njëjtë për Teatrin e qytetit, sikur që është në Ligjin për teatrot mbi Teatrin Kombëtar të Kosovës, padia në Gjykatë do të ishte krejt e plotfuqishme dhe pa asnjë mëdyshje në sigurinë e paditësit që të fitonte lëndën në tërësi, e në këtë rast të aktorëve të Gjakovës. Ja çfarë thuhet për Teatrin Kombëtar, e që nuk thuhet për Teatrin e qytetit: “Teatrot kombëtare duhet ta kenë ansamblin rezident prej së paku tridhjetë (30) aktorëve.” Po të ishte për teatrot kombëtare fjala “mund”, do të ishte problematike sikur për Teatrin e qytetit! “Aktorët e qytetit” do të duhej të kërkonin që kjo të ndryshonte nga “mund”“duhet” dhe do të kishin trajtim më të mirë institucional, të paktën në nivel legjislativ. Pa u ndërruar kjo fjalë “mund” (pëlqim) që shpreh fleksibilitet në “duhet” që jep detyrueshmëri/obligueshmëri (paqare), do të mbetet zbrazëtirë në legjislativin ekzistues për favorizimin financiar të Teatrit të Qytetit. Mirëpo, ky Ligj për teatrot, siç kemi dhënë edhe shumë vërejtje të tjera në të kaluarën, është kundërthënës. Fakti që kufizon numrin e aktorëve rezidentë për Teatrin e Qytetit, përsëri u jep fakte në ushtrimin e padisë aktorëve të Gjakovës për moskryerjen e detyrimeve financiare të angazhimit të tyre rezident në Teatrin e Qytetit të Gjakovës.
  3. Aktorët e Gjakovës kanë të drejtë në ushtrimin e padisë në gjykata sepse Teatri i qytetit bashkë me Teatrin Kombëtar të Kosovës dhe Teatrin e studentëve të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës (lexo nenin 5.1 të Ligjit mbi teatrot) janë teatro me status publik. Prandaj, e drejta është në anën e aktorëve gjakovarë dhe të tjerëve që kërkojnë kryejne e obligimeve financiare ndaj aktivitetit të rregullt teatror, sepse marrja e epitetit me status publik nuk i përket karakterit privat, që mjetet financiare të sigurohen direkt nga investitori privat apo format e tjera private, që nuk i përkasin subvencionimit apo pagesës nga buxheti i taksapaguesve kosovarë.
  4. Aktorët rezidentë kanë të drejtë në padinë gjyqësore që mund të vënë ndaj mosfinancimit të punës së tyre, sepse me nenin 19.3, ku flitet për mjetet e financimit të punës së teatrove dhe shoqatave teatrore, përcaktohet shumë qartë: “3. Mjetet për punën e teatrove publike kombëtare i siguron Ministria, ndërsa mjetet financiare për punën e teatrove të qyteteve i siguron komuna përkatëse.” Ky nen është plotësimi i nenit problematik të mësipërm, rreth përdorimit të fjalës “mund” në vend të fjalës“duhet”. Aktorët e Gjakovës dhe të tjerët, teksa mund të angazhojnë edhe avokatin e tyre, mund ta përmendin këtë nen që adreson përgjegjësi për mjetet financiare, drejtpërdrejtë në komunat e tyre, respektivisht për aktorët që bëmë fjalë, është përgjegjëse direkte komuna e Gjakovës. Ky nen rregullon infrastrukturën e mbrojtjes ligjore për kryerjen e obligimeve financiare për aktorët rezidentë. Këtu ligji po tregon se kujt duhet t’i trokasim për t’ia kërkuar paratë!
  5. Subvencionet dhe paga. Subvencionet këtu marrin kuptimin e ndihmesës, lehtësimin apo dhënien e kontributit financiar për ndonjë projekt, por që nuk ndërlidhet me dy gjëra shumë të rëndësishme që kanë të bëjnë edhe me aktorët rezidentë: – janë jo të rregullta dhe nuk marrin karakter detyrues mujor. Pra, është e gabueshme të thuhet se komunat u japin paga aktorëve, sepse atyre u japin subvencione, ngjashëm siç bënë Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, që u jep subvencione kategorive të caktuara të bujqve! Mirëpo, janë disa marrëveshje që bëhen në mes të komunave dhe aktorëve rezidentë të  komunave që kanë teatro me statusin publik të shënuar si: “Teatri i qytetit”. Fatkeqësia dhe papërgjegjësia e komunave mbetet se nuk e respektojnë as këtë marrëveshje për subvencione të aktorëve rezidentë. Aktorët do të donin të hynin në “paga të rregullta”, që do të nënkuptonin kontrata të plota dhe të paguheshin me rregull për çdo muaj (dhe me shume privilegje ligjore në shumë situata), të cilët nuk mund të arriheshin me subvencione. Pra, këtu ka dallime të mëdha të asaj që shpesh përzihet rreth obligimeve financiare të aktorëve rezidentë: a subvencionohen apo marrin pagë? E vërteta praktike dhe juridike është se aktorët rezidentë të Teatrit të qytetit, janë duke u subvencionuar nga komunat, e jo duke u paguar me pagë dhe kontratë të rregullt, sepse po të bëhej kjo, do të hyhej në detyrime gjyqësore që gjithmonë do të fitonin aktorët! Mirëpo, përsëri aktorët e Gjakovës kanë të drejtë, sepse edhe ato marrëveshje për subvencione nuk janë respektuar kurrë në asnjë komunë të Kosovës!

 Fund

Me Ligjin për teatrot thuhet se “shpërbërjen e teatrit publik e bën themeluesi në pajtim me legjislacionin në fuqi”, ndërsa sipas po këtij ligji, themelues është Kuvendi i Republikës së Kosovës me propozim të Qeverisë! Kur nuk ka mjete disave u shkon mendja që të shpërbëhet teatri, ngjashëm siç mbyllet një shitore, por është mendim i ngutshëm dhe i pamatur! Në Kosovë ka buxhet edhe për luks dhe mund të bëhet zgjidhje edhe për teatrot e 7 qyteteve! Në anën tjetër, Teatri i Qytetit nëse s’ka kod të vet buxhetor si TKK, do të jetë shpesh në lajme për zhgënjimin e aktorëve rezidentë që s’po marrin mjete financiare! “Tybe, deri tash kujt nuk po ia nin?!!!

Kosova Sot, 18 tetor 2014

Posted in Art, Kultura dhe Shoqëria, Kultura dhe Shteti, Teatër | Tagged , , | Leave a comment

PAK KUSH FOLI PËR NGËRÇIN KULTUROR

Me shkas ndikimin e ‘ngërçit politik’ në ngërçin kulturor

‘Ngërçi politik’ është togfjalëshi më i përdorur në muajt e fundit për shkak të krizës politike të moszgjedhjes akoma të kryeparlamentarit dhe pamundësisë për formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve të fundit parlamentare. Në ngërçe, gjërat nuk shkojnë as para, as mbrapa, por stagnojnë, apo më mirë të themi: mpihen! Deri më tash është folur se si ngërçi politik ndikon në rënien e investimeve, pamundësinë për të zgjedhur anëtarët e bordeve të ndryshme të cilat me ligjet e Kosovës, votohen nga parlamenti, etj. Është folur edhe për bllokimin e pagave të punonjësve, për shkak të pamundësisë për planifikuar buxhetin për vitin e ardhshëm dhe alokimin e pagesave, duke u parashikuar një tension i jashtëzakonshëm social e politik në të ardhmen e afërt, nëse nuk kalojmë nga ‘mpirja në shkrirje’! Përderisa punonjësit e administratës publike dhe sektorëve të tjerë publik marrin pagat e tyre, stabiliteti social si duket nga papunësia nuk do të preket, por më shumë nga prishja e rehatisë nga ata që janë aktualisht të rehatuar në vendet e tyre të punës dhe marrja e pagave me rregull! Mirëpo, deri më tash nuk është folur për dëmet në fushën e kulturës. Ne po i tregojmë disa nga problemet në rrafshin kulturor, që shtohen dhe mbesin të pazgjidhura, apo vonohen për t’u zgjidhur, si rezultat i ‘ngërçit politik’.

  1. Ndalja e projekteve ekzistuese për shkak të rënies së pagesave ndaj ndërmarrjeve që kryejnë punimet. Në komunën time vetëm u bë përurimi i Qendrës Rinore, por fotografitë nuk u shkrepën më, ngase asnjë tullë më nuk u vë pas përurimit! Pritja e krijuesve për financimin e projekteve të reja kulturore dhe humbja e motivimit për të trokitur në dyert e zyrës së kryetarit të komunës, drejtoritë komunale për kulturë, rini dhe sport, MKRS, e tjerë, sepse në mendjet e tyre u del situata e ngërçit politik dhe e dinë se ka pak shpresë në përkrahjen financiare të projekteve të tyre në këtë kohë të paqartësive të mëdha.
  2. “Përdorimi i ngërçit politik vend e pa vend!” Deri tash zakonisht arsyetimi më i shpeshtë që kanë përdorur zyrtarët e institucioneve kulturore për financimin e ndonjë projekti kulturor (libër, ekspozitë, etj.), ka qenë: “s’po kemi buxhet”. Aktualisht togfjalëshi më i shpeshtë është: “s’ka njëherë financa, se ngërçi politik, s’po dihet çka po bahet”. Një arsyetim tjetër bazë që është përdorur nga shumica e drejtuesve të institucioneve komunale në krejt Kosovën, ka qenë: “qeverisja e kaluar ka lënë shumë borxhe”. Është e vërtetë se nuk ka buxhet të mjaftueshëm kurrë sa duhet për kulturën, se ka ngërç politik, se qeverisjet e kaluara nuk i kanë lënë me plus qeverisjet e kaluara komunale, por kjo tashmë u bë edhe moment shumë i volitshëm për të arsyetuar mungesën e financimit kulturor, neglizhencën, mungesën e kreativitetit, mungesën e programeve inkurajuese kulturore në emër të të cilave thirreshin para fushatave drejtuesit e komunave, etj.
  3. Vazhdimi i problemeve të vjetra në ritme edhe më të ngadalshme dhe mbetja e tyre në qorrsokake – Aktorët janë të zhgënjyer edhe më tej, pasi që për ta asgjë përsëri nuk u bë më mirë, ndonëse gjithmonë një nivel shprese te disa ngrihej përpjetë, sa herë kishte premtime elektorale, sikur ishin ato të zgjedhjeve të fundit parlamentare dhe ato lokale komunale. Aktorët rezidentë vazhdojnë të mos paguhen dhe të mbeten nën ‘mëshirën’ e kryetarëve të komunave. Ligji i fundit për teatrot, ku përgjegjësia e MKRS-së bie, ndërsa teatrove të qytetit me ligj u përcaktohet numri i aktorëve rezidentë, për aktorët dhe teatrot vetëm u vazhdua gjendja e rëndë! Nëse shkruhet në ligj se duhet të ketë ‘aq punëtorë’ Teatri i Qytetit, duhet t’i bëhet ‘qareja’, ose të ndryshohet ligji dhe të përputhet me kushtet financiare dhe buxhetore të komunave tona! Secili ngërç politik në vendimmarrje nuk është i dobishëm sidomos kur akumulohen probleme të shumta e të vjetra dhe kultura vazhdon të mbetet peng i zhvillimeve jo të duhura politike në vend. Shtoja këtu edhe ngërçin aktual politik!
  4. Vazhdimi i burokracisë në ambasada për artistët. Njoh shumë artistë të cilët fare nuk aplikojnë në shumë projekte kulturore, sepse ‘maltretohen’ nëpër sportele, duke nxjerrë dëftesa e dokumente dhe përsëri janë nën ankthin e pranimit apo jo të vizave kulturore. Ndonëse organizatori i huaj u dërgon ftesë, artistët vazhdojnë t’i kenë jo të lehta korridoret e udhëtimit jashtë vendit. Marrja e një vize sidomos për artistët që nuk kanë kushtet e mira materiale edhe më shumë vështirësohet, jo vetëm për shpenzimet administrative sa andej-këndej, por edhe për shkak se nuk mund të kenë pasqyra aq të mira financiare sa për të bindur zyrtarët e ambasadave. Kjo paraqet pengesë për shumë artistë. Ka mundur të bëhet më shumë për lehtësimin e rrugëve të marrjes së vizave nga artistët. Ka mundur të bëhet ndonjë marrëveshje me shtete të caktuara, duke i pajisur artistët e caktuar edhe me karta identifikimi, në mënyrë që atyre t’u lehtësohej liberalizimi i vizave. Kjo do të ishte diplomacia në fushën e kulturës, që artistëve t’u lehtësohet rruga e depërtimit në galeri dhe institucione të rëndësishme kulturore. Imagjinoni një rast interesant që na pati ndodhur një grup të artistëve për në Festivalin e Letërsive të Vogla në Zagreb. Ne kishim për të shkuar për tri ditë atje dhe ambasada e Kroacisë na pati dhënë vizat vetëm për tri ditë, ndërsa aeroplani që kishte për t’u nisur për në Prishtinë nga Zagrebi në orën 23 të natës së fundit, u vonua dy orë dhe u nis në orën 01:00 dhe realisht ne ishim ilegalisht në aeroportin kroat! A nuk mund të bëhej viza për 5 ditë, ndonëse ne kishim vetëm 3 ditë?! Nuk po them se nuk po jepen viza kulturore, por ato jepen me shumë vështirësi dhe mundime! Prandaj, ngërçi politik vetëm po e vazhdon këtë situatë torturuese për artistët të cilët gjejnë lidhje dhe bëhen pjesë e projekteve kulturore në mënyrë online, vetëm për shkak se kanë ndjenja turpërimi dhe faji të sorollaten me aq shumë dokumente dhe nuk mund ta durojnë edhe atë ‘ankthin’ e pritjes së konfirmimit të vizës. Sa herë shkon në ambasada, e keni njëfarë ndjenje faji dhe turpi! Dukeni sikur jeni në gabim, pa qenë gabimtarë dhe shpesh gabojmë në paraqitje, sepse na kap një ndjenjë e përzier e turpit, fajit dhe vetëbesimit të ulët, ndërsa në ato çaste mund t’i vëni në dyshim edhe zyrtarët në ambasadë, në këtë gjendje të pakrehur emocionale! Dukeni sikur keni bërë diçka pa bërë! Është e vërtetë se rrethanat e pavolitshme ekonomike dhe sociale në vend kanë nxitur njerëzit të keqpërdorin besimin e autoriteteve të caktuara, të gënjejnë në dosje sikur në filma, por artistët nuk mund të ngarkohen me këtë përgjithësim. Ka edhe të tjerë artistë të cilët paratë e grumbulluara, duan t’i shfrytëzojnë të bëjnë vizita kulturore, të shohin se ku kanë jetuar artistë të njohur evropianë si Van Gogh, Picasso e të tjerë, por nuk mund të shkojnë lirshëm kur t’u teket atyre! Madje mosliberalizimi i vizave është i lidhur me bileta shumë të shtrenjta. Ja një shembull: nëse ju mund të shkoni kur të doni ta vizitoni Muzeun e Van Goghut në Amsterdam, pa vizë, atëherë imagjinoni sa lehtë do të ishte sikur ne të kishim komoditetin të zgjedhnim një datë të udhëtimit që përputhet me biletë super të lirë! Është gabim të shtrohet pyetja: “A janë lirë biletat për këtë vend…?!”, sepse varet në cilën periudhë shkon, me cilin agjension, me cilin mjet transporti etj. Kur ju keni lirinë e lëvizjes, e zgjedhni mjetin më të lirë, agjensionin më të lirë, ofertën më të lirë, kohën më së paku që e kërkojnë turistët e tjerë, etj. Pra, liberalizimi i vizave të heq edhe vështirësitë financiare, jo vetëm për shpenzimet administrative për një vizë, nënçmimin që e ndjeni kur shkoni në ambasada për të pritur kokulur (pavarësisht se mund të ju presin me fjalët më të mira), por edhe për përzgjedhjen e kompanisë me çmimet më të lira dhe në sezone jo të shtrenjta, kur vijnë në mënyrë masive diaspora jonë etj.
  5. Këshilli i Kosovës për trashëgimi kulturore dhe organet e tjera në fushën e kulturës, përbëhen nga individë të cilët zgjedhen nga Kuvendi i Kosovës. Ligji për trashëgimi kulturore, të cilin e kërkova qoftë në Gazetën Zyrtare, qoftë në faqet e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe MKRS-së, është i vitit 2006 dhe akoma me vulën e UNMIK-ut, duhet të rishqyrtohet dhe të plotësohet, sepse siç e dimë Këshilli i Kosovës për trashëgimi kulturore është jofunksional, joefikas dhe shumë pak ka bërë detyrën që kërkohet nga ta. Ngërçi politik ndikon qoftë në pamundësinë për të zgjedhur anëtarët e rinj të Këshillit të Kosovës për trashëgimi kulturore, por edhe nëse tërhiqet njëri, të mos votohet tjetri, sepse në nenin 4.8. thuhet tekstualisht: “Këshilli i Kosovës për trashëgimi kulturore, ёshtё organ i cili krijohet nga Kuvendi i

Kosovës, i cili përcakton edhe objektin e veprimtarisë sё tij nё fushën e trashëgimisë

kulturore. Ai pёrbёhet nga 7 anёtarё, tё cilët zgjidhen pёr njё mandat tri (3) vjeçar nga Kuvendi i Kosovës…” Pra, nëse s’ka Kuvend, nuk ka organ që mund t’i zgjedh 7 anëtarët për një mandat të ri.

Ngërçi politik ka efektet negative edhe në shumë projekte kulturore, sepse deri më tash është folur vetëm për pasojat ekonomike dhe vendimmarrëse, por edhe jo për ato kulturore. Ka edhe shumë pasoja të tjera, të cilat nuk mund t’i përfshijmë në këtë kolumne njëfaqe. Se sa është e rëndësishme kultura për ne, mbetet fakti se të gjithëve u shkoi në mendje të flasin për pasojat ekonomike, investime të huaja e vendore, politikën e jashtme, etj., por jo edhe për kulturën! Fatkeqësisht pak kush foli se ngërçi politik vazhdon t’i lë shumë probleme të vjetra të grumbullohen dhe të mos zgjidhen as të vjetrat e as të rejat në fushën e kulturës.

Kosova Sot, 11 tetor 2014

Posted in Art, Film, Kultura dhe Shteti | Tagged , | Leave a comment

‘TRI VAJE DHE NJË I NOMINUAR PËR OSKAR’

Me shkas akuzat e regjisorit të filmit “Heroi” ndaj filmit “Tri dritare dhe një varje

Kur filmi i metrazhit të shkurtër “Kthimi” korri suksese ndërkombëtare, veçmas në “Sundance Film Festival”, Blerta Zeqiri dhe Blerim Gjoci, akuzuan njëri-tjetrin për të drejtat autoriale dhe të pronësisë së këtij filmi, duke pretenduar secili prej tyre se është autor i filmit. Kjo ndodhte sidomos pas suksesit dhe popullaritetit që gëzoi në lajmet vendore e ndërkombëtare dhe secili dëshironte të paraqitej sa më protagonist, ndërsa e vërteta zyrtare ishte: Blerta ishte regjisore, ndërsa Blerimi ishte producent i filmit. Dihet botërisht se çfarë të drejta ka regjisori dhe çfarë producenti, por kjo është temë e tejkaluar! Ky rast ngjason shumë me akuzat e ndërsjella në mes të regjisorit të filmit “Heroi” ndaj filmit të nominuar për Oskar nga Komiteti Selektues i Kosovës, në kuptimin se si kolegët ngrehin tensione sidomos kur diçka mund të ndërlidhet me suksesin potencial dhe real ndërkombëtar, ndonëse këto akuzat e fundit shfaqen edhe në akuza të tjera të rënda për plagjiaturë dhe të cilat duhet të verifikohen! Së këndejmi, nuk duhet të relativizohet e vërteta, sepse jo secili akuzues është subjektiv, por fatkeqësisht në Kosovë nuk kemi avancuar akoma në fushën e të drejtave autoriale, sepse dënimet do të ishin mjaft të rënda dhe po ashtu dëmi etik do të ishte edhe shumëherë më i lartë! Te ne, akuzat vetëm mbetën në ajr, madje akuzuesit edhe satirizohen, herë me të drejtë e herë pa të drejtë, por kjo s’do të ndodhte sikur të kishte sundim të plotë të ligjit në këtë vend, ku ose do të dënohej për shpifje paditësi, ose i padituri! Bile, nëse i shihni disa nga dyshimet të cilat i hedh regjisori Kryeziu, nuk janë edhe bash krejt pa bazë dhe mund të jenë arsye për t’u verifikuar nga ekspertët! Janë shumë afërmendësh disa simbolika në rendin konceptual/ideor, por gabimi i tij i rëndë i regjisorit të “Heroit” ishte fakti se, nuk do të duhej të hedhte në publik materiale të paautorizuara të filmit “Tri dritare dhe një varje” dhe të gjitha duhej të deponoheshin në drejtim të Komitetit Selektues si ankesë, në gjykatë në përputhje me Ligjin mbi të drejtat autoriale dhe në Taskë Forcën e MKRS-së, ndonëse siç është thënë në një media se, ‘nuk ka gjykatës të profilizuar në këtë fushë’, por merren me këto raste të cënimit të të drejtave autoriale! Po ashtu, këto ngjashmëri të pretenduara nga regjisori i filmit “Heroi” me filmin “Tri dritare dhe një varje” nuk do të thotë se bëhen prova materiale për plagjiaturë në kuptimin juridik, sepse disa ngjashmëri situatash dhe vendesh në xhirim dhe simbolika, mund të vlerësohen edhe si normale në kontekstin tjetër. Madje, edhe vetë Luan Kryeziu, i cili ka hedhur këto akuza, kishte akoma rezervat e tij për ta quajtur plagjiaturë. Në postimin e tij, ai apelonte në këtë mënyrë: “Lus të gjithë artistët dhe mediat e vendit që të mos ndryshojnë opinionet tona rreth ngjajshmërisë së filmit HEROI dhe Tri dritare e një varje. Plagjiat apo jo, këtë mund ta vendosin organet kompetente dhe ne vetëm mund të shfaqim ngjajshmëritë me dyshimet tona dhe me argumentet. Ne asnjëherë nuk kemi akuzuar prof. Isa Qosja për plagjiaturë siç është publikuar nga njëri medium i yni, madje prof. Qosja nuk ishte skenarist por vetëm regjisor. Duke pasë parasysh situatën e brishtë të zhvillimeve në kulturën tonë, ne konsiderojmë që duhet të jemi të përgjegjshëm e sidomos në këtë situatë ku Kosova ka nevojë përfaqësimi në OSCAR.

KATËR SITUATAT LEHTËSUESE TË LINDJES SË KACAFYTJES

1. Dëshira për të bërë histori dhe për të hyrë si kuriozitet në fjalëkryqe. – Prej tash e tutje, filmi “Tri dritare dhe një varje” do të bëjë histori. Kushdo që përpilon fjalëkryqe, do të mund të parashtrojë pyetjet e tipit vijues: “Cili është filmi i parë kosovar, që është nominuar për Oskar?”; “Si quhet filmi i parë i nominuar për Oskar nga Kosova?”; “Në cilin vit është nominuar filmi i parë për Oskar nga Kosova dhe si quhet titulli i këtij filmi?” Dhe shumë pyetje të ngjashme. Pra, kacafytja është e zakonshme sidomos kur bëhet fjalë për ngjarje dhe situata që i bëjnë regjisorët protagonistë në histori. Kështu vlerësoj se ka ndodhur edhe kjo situatë e pakëndshme akuzash të një konkurrenti ndaj konkurrentit tjetër për nominimin për Oskar, për filmin e parë të kandiduar nga Kosova.

2. Rivalitete kolegësh. – Jo vetëm në fushën e regjisë, por në shumë lloje të arteve të tjera, artistët kanë raporte të përkeqësuara të bashkëpunimit, komunikimit dhe vlerësimit reciprok. Shpesh akuzojnë njëri-tjetrin për plagjiaturë, për mediokritete, për mungesë kreativiteti, për injorancë, për amatorizëm etj. Kjo ndodh kudo në botë, por shpërfaqet në mënyrë bizare dhe irrituese në vendet me pamundësi të mëdha të shprehjes, me motivimin të ulët, në ambiente të pavolitshme komerciale, në kriza arti të vendeve në tranzicion dhe pas tranzicionit, e tjerë e tjerë. Këtë rivalitete kolegësh e kam vërejtur shumë edhe në artistët pamorë, të cilëve u mjafton një element i ngjashëm, mediumi i ngjashëm i përdorimit apo asociimit të vetëm një elementi që ngjason dhe të hedhen në akuza ndërsjella për ‘vjedhje idesh’, ‘plagjiaturë’, ‘jo ishte ideja jem, jo e jemja’, e këso farë akuzash herë të papjekura deri në skaje të universit, e herë të mërzitshme dhe pa asnjë bazë. Nuk ka asnjë mundësi që dy vepra të mos ngjasojnë me njëra-tjetrën në diçka. Madje, ka programe softuerike të cilat mundësojnë të dihet se një vepër a është plagjiaturë a jo dhe, në rast se rezulton me plagjiaturë, kalohet në përqindje të cilat janë të papranueshme. Pra, në secilën vepër, llogaritet se diçka ka plagjiaturë, por ajo vlerësohet si e tillë vetëm nëse kalon caqet apo limitetet e pranuara sipas marrëveshjeve të asaj se çfarë ne kuptojmë me ‘plagjiaturë’. Për shembull, nuk është vjedhje idesh siç e zënë disa artistë vizuelë, vetëm se njëri paska përdorur si medium kungullin, tjetri s’paska mundësi me përdorur më kungullin si mjet të shprehjes artistike dhe ideore! Për mua këto janë absurde, joreale, fëmijërore, padi të varfëra etj. Mund të ngjasojnë mediumet e artistëve, por jo edhe ideja, motivi, shprehja, vizuelizimi, konteksti, sfondi e të ngjashme.

3. Egoizmi krijues. – Sikur kudo, në këto përplasje hyjnë edhe egot e artistëve. Ka madje edhe ego jo aq të pjekura, të cilat shfaqen pambarueshëm. Ka artistë në Kosovë të cilët menduakan se janë më të “mëdhenjt”! Identifikohen me ikona të mëdha të filmit botëror, por nuk kanë dalur as nga teatrot e qytetit të tyre provincial! Janë më se të dobët në interpretim dhe luajtjen e roleve; nuk kanë arritur as edhe në një rol të vetëm të luajnë si duhet dhe të mbahen në mend nga spektatori, ndërsa flet me cinizma dhe ironi të habitshme ndaj kolegëve të tyre. Në këtë përlasjen e fundit, natyrisht se mund të ketë rol edhe egoja e krijuesve apo konkurrentit që nuk iu ka realizuar pritja, por ne këtu e kemi fjalën edhe për situata të tjera. Egotë janë më të mëdha, sa më shumë ka garë për suksese ndërkombëtare dhe për çmime të majme!

4. Hidhërimi nga humbja. – Si gjithmonë, gara krijon humbës dhe fitues. Sapo hyjmë në garë, ne e dimë paraprakisht se jemi në raportin pesëdhjetë me pesëdhjetë: fitues apo humbës potencial. Ndonjëherë nuk kemi vlerësim të duhur mbi veten tonë dhe e rrisim jorealisht përqindjen e vetëvlerësimit, prandaj në këto raste, edhe më shumë shtohet hidhërimi dhe mllefi pas rezultatit final, sepse kemi pasur pritje joreale. Në anën tjetër, aq shumë bëhet lojë e fëlliqur e jurive në Kosovë, por edhe në shumë vende të tjera, saqë ka humbur në tërësi besimi në këto juri. Ndonjëherë është bërë më e përshtatshme mos me marrë pjesë fare në këto gara, sepse po nuk u besove jurive, më mirë të mos hysh fare në garë, sepse me çfarë legjitimiteti mund të themi se ne ishim më të mirët?! Mirëpo, për shkak se ne këtë e dijmë edhe intuitivisht, njohim personat të cilët janë klane, ndonëse është vështirë të argumentohen, ne reagojmë. Sidomos kur e bëjmë një analizë të thjeshtë se si njerëzit shpërblejnë njëri-tjetrin; kur njëri është juri, e vlerëson personin e caktuar, ndërsa kur këtij të fundit i bie të jetë juri diku tjetër, ia ‘kthen të mirën’ me vlerësim maksimal. Pra, kushdo që thotë se konkurset dhe garat në Kosovë janë korrekte, objektive dhe në mënyrë profesionale dhe etike, gabohet jo shumë, por e huq edhe krejt rrethin e shenjëtarisë, pa bërë fjalë se sa gjuajti në shenjë! Këto akuza të regjisorit të “Heroit” janë edhe hidhërim, pasi që dolën pas rezultatit nga Komiteti Selektues. Nëse do të kishte plagjiaturë, kjo do të duhej të dilte shumë më herët, e jo pas rezultatit. Ndryshe është në disa konkurse të tjera poetike, kur ne nuk e dijmë se me çfarë poezi konkurrohet, por jo edhe për filmin, të cilin e kemi parë më herët. Posa e ka parë filmin “Tri dritare dhe një varje”, regjisori Kryeziu është dashur të procedonte akuzën e tij për plagjiaturë. Pasi që ka qenë konkurrent, ka dalë në mejdan pas humbjes, menjëherë do të merret si hidhërim pas humbjes, frustrim dhe hakmarrje! Prandaj, kjo ia humb kredibilitetin e akuzave në nivel etik, por jo edhe në atë juridik, nëse do të shkojë gjer në fund, me provat e tij materiale, të cilat duhet të verifikohen, siç ka thënë edhe vetë, nga organet kompetente! Nuk besoj se do të ketë sukses, sa i ka sjellur deri tash!

“Gratë e dhunuara” më mirë tregojnë pasojat e luftës së fundit sesa “Heroi”

Komiteti Selektues i nominimit të filmit kosovar për Oskar, do të duhej fill pas publikimit të fituesit “Tri dritare dhe një varje”, të merret edhe me ndonjë reagim të arsyeshëm apo të paarsyeshëm, pas verdiktit final. Do të duhej të rishqyrtonte vlerësimin dhe vendimin e tij, pas akuzave të njërit konkurrent, duke kërkuar urgjentisht ndihmën edhe të organeve kompetente për këtë rast, se sa ka të vërtetë në akuzat që ngrihen nga regjisori i filmit “Heroi”. Ndërsa personalisht mendoj se filmi “Tri dritare dhe një varje” nuk është plagjiaturë, ndonëse mund të duket i tillë për shkak të ngjashmërisë së sfondit të luftës së fundit dhe ambienteve sociologjike të ndodhisë. Edhe “Heroi” ka pasur disa suksese ndërkombëtare, por filmi i Isa Qosjes është më relevant sidomos në kodin tematik, por edhe në aspektin artistik, në sensibilizimin global të vuajtjeve të popullit tonë. Dhunimet e grave janë më tronditëse për njohjen e vuajtjes së popullit të Kosovës, sesa rreth veteranëve të luftës, nëse flasim për nivele dramaticiteti dhe qitjen në pah të monstruzitetit të krimeve të luftës! Shkurt e shqip: mjeshtëria artistike dhe tematike e “Tri…” është shumë më e përshtatshme dhe më cilësore! Është film ideal për të na prezantuar kësaj radhe, pa harruar edhe disa rezultate shumë të kënaqshme që bëri “Heroi” në festival ndërkombëtare! Qosjes dhe Kryeziut, dyve duartrokitje, ndonëse filmi “Heroi” për mua ka disa mangësi serioze! Në aludim me filmin fitues, kjo kacafytje mund të përshkruhet edhe si: “Tri vaje dhe një i nominuar për Oskar”!

Kosova Sot, 27 shtator 2014

Posted in Art, Film, Memorie Kolektive | Tagged , , | Leave a comment

KOMUNAT S’E NJOHIN NJËRA-TJETRËN NË KULTURË

Me shkas nevojën e bashkëpunimit ndërkomunal në kulturë

Gjersa po ecja në qytetin tim, seç mu kujtua një gjë me rëndësi: Sorrat e zeza kishin mbuluar tërë pemët rrëzë qendrës dhe krijonin neveri te shumë kalimtarë, sepse përveç zhurmës së lart që prodhonin, ato edhe ‘glaconin’ këdo që kalonte andejpari. Njerëzit po ecnin dhe kishin destinacione të ndryshme, prandaj ndotja me fekalet e shpendëve, krijonte jo vetëm të qeshura nga disa, as turpërim publik siç e përjetonte dikush, por edhe pengesa në ecje të lirë dhe me prishje rehatie. Dhe ky problem vazhdonte në qytetin tim, ndërsa para pak kohësh, ka qenë lajmi i njëjtë në Ferizaj dhe ata e kishin gjetur një zgjidhje fascinuese dhe super të suksesshme për heqjen e këtij problemi: në disa pemë që mendohej se po mblidheshin aq shumë sorra, kishin vënë ca aparate ultrasonike që detyronin sorrat të largoheshin nga drunjtë dekorativë. A nuk do të ishte e udhës që një përvojë të mirë të një komune tjetër për problemin e njëjtë, komuna ime ta merrte për vete dhe ta zbatonte me efikasitet? Pra, kjo është kur mungon bashkëpunimi politik ndërkomunal dhe në analogji me këtë, e kemi edhe mungesën e bashkëpunimit ndëkomunal në sektorin e kulturës, rrjedhimisht të arteve në përgjithësi. Pse filmi “Tri dritare dhe një varje” të mos shfaqet në secilë komunë të Kosovës, fill pas premierës në Prishtinë, ose në të njëjtën kohë të jetë ngjarje kulturore në tërë Kosovën?! Mjafton një projektor dhe ulëset, tek e fundit, edhe nëse s’kemi kinema në shumicën e komunave kosovare! Kjo përfshinë bashkëpunimin ndërkomunal kulturor, atë ndër-istitucional dhe raportin kryeqytet-komuna!

Kryqyteti kulturor

Mund të ju duket disave te ne paradoks, por jo edhe për botën, kjo që po e themi tani në këtë kolumne të radhës: kryeqytetet e shteteve nuk do të thotë se duhet të jenë edhe kryqytete për kulturë. Në shumicën e vendeve gjejmë se si në kryeqytetet zyrtare të shteteve, ato më shumë luajnë rolin e qendrave administrative dhe pranisë së shumë institucioneve shtetërore, por jo edhe gjallërisë kulturore. Në shumë vende, periferitë janë më të njohura për turizëm kulturor, aktivitete të shumëllojshme artistike, por jo edhe kryeqytetet gjegjëse. Mitin mbi Prishtinën si vendi ku bëhet më së shumti në aktivitete kulturore, po e shembë sidomos Prizreni, duke e zhvendosur lajmin mbi zhvillimet kulturore edhe diku tjetër jashtë Prishtinës! Dhe ky është shembull adekuat decentralizimi kulturor! Ka edhe disa aktivitete të rëndësishme të komunave të Kosovës, të cilat njihen si ngjarje të respektuara gjithandej vendit. Sidoqoftë, kjo nuk vlen po ashtu për të gjitha kryeqytetet për të mos e përgjithësuar, sepse Vjena, Londra, etj., ndonëse janë kryeqytete të Austrisë e Mbretërisë së Bashkuar, ato janë edhe kryeqendra të njohura për kulturë sesa periferitë.

Bashkëpunimi kulturor ndërkomunal

Komunat në Kosovë duket se janë të ndara me njëra-tjetrën dhe në përputhje me tipet  e personalitetit njerëzor, ato janë asociale dhe antisociale ndërmjet vete. Në rrafshin kulturor, komunat e Kosovës, janë thuajse pa komunikim horizontal dhe vertikal. Nuk ka bashkëpunime ndërkomunale dhe kjo është për keqardhje, e ndonjëherë edhe për ‘mindil’ që t’i qajmë. Shembullin e gjejmë në mosnjohjen e shkrimtarëve të një komune me lexuesit e komunës tjetër. Shkrimtarët e Gjakovës nuk njihen aq nga lexuesit e komunës së Ferizajit dhe anasjelltas, apo ata të Mitrovicës nuk njihen në Pejë. Vetëm në disa manifestime tradicionale, shokët poetë nëse janë në pozita të komisioneve apo jurive vlerësuese në këto manifestime tradicionale, thërrasin si miq njëri-tjetrin, por jo ndryshe. Edhe në këto manifestime që ka më shumë se kudo tjetër mediokritete masive, vetëm shkrimtarët e ftuar personalisht nga miqtë poetë që janë nikoqirë, përndryshe nuk ka pjesëmarrjes në atë ngjarje poetike jashtë komunës së tyre. Pra, shkrimtarët nuk njihen shpesh as nga vetë qytetarët e asaj komune, e lëre më nga komunat e tjera. Nuk bashkëpunojnë në masë më të nevojshme as komunat që janë të kufizuara fare pranë njëra-tjetrës, që mund të përfshihen si një regjion i vetëm, si Dukagjini, Anamorava, etj. Edhe ato bashkëpunime që janë, zakonisht bëhet fjalë për disa ngjarje të përvitshme tradicionale, ku marrin pjesë më shumë poetë mjaft të dobët dhe ka lexues poezish edhe që lexojnë poezi, vetëm sa për ndonjë shkëputje eurosh, pa qenë fare poetë! Mungon një dinamikë tjetër e raportit shkrimtar-lexues, pavarësisht vendbanimit apo vendlindjes së tij. Kjo do të nënkuptonte se lexuesi do të konsumonte vlerat letrare të shkrimtarëve të të gjitha komunave dhe do të njihej më shumë me dallimet e mundshme në stil, tematikë, mënyrë të shprehjes, etj. Nuk themi se duhet të ketë ‘shkrimtarë prizrenas, shkrimtarë ferizajas, gjakovarë, pejanë, mitrovicas, prishtinas, gjilanas etj.’, por për komunikimin e shkrimtarit të një komune me lexuesin e të gjitha komunave të tjera. Është iluzion të thuhet se rrjetet sociale i kryejnë të gjitha këto funksione, sepse ato janë në duart mjaft subjektive dhe aksidentale të përdoruesve të tyre. Po flasim për ofrimin e strukturuar dhe të organizuar të mundësive për t’u takuar shkrimtarët me lexuesit, në arealin e përgjithshëm hapësinor dhe kulturor të Kosovës. Drejtoritë për kulturë, rini dhe sport, mund të bashkëpunojnë më shumë me njëra-tjetrën, ndonëse në disa komuna ato mund të jenë të organizuara dhe të sistemuara në mënyra të tjera, apo në bashkëngjitje edhe me drejtorinë e arsimit, e tjerë e tjerë, por e rëndësishme është që sektori kulturor i një komune të bashkëpunojë në aktivitete me sektorin kulturor të një komune tjetër. Jo vetëm në organizime kulturore, por edhe në shkëmbimin e përvojave në zgjidhjen e problemeve të ngjashme!

RËNDËSIA E KËTYRE BASHKËPUNIMEVE NDËRKOMUNALE

 

–          Dinamika tjetër evolutive në zhvillimet kulturore, duke ndikuar në kultivimin e vazhdueshëm të shijes së lexuesve, spektatorëve dhe artdashësve;

–          Dhënia e mundësisë së recipientit kosovar për konsum kulturor nga të gjitha komunat;

–          Heqja e pengesave të komunikimit ndërkulturor dhe ndëretnik, duke bërë të mundshme njohjen e shkrimtarëve edhe nga komunitetet e tjera joshqiptare, siç janë serbët, turqit, romët etj. Ia vlen të përmendim poetin rom Kujtim Paçaku, deputet në Parlamentin e Kosovës, i cili si poet është i njohur gjithandej krijuesve shqiptarë në Kosovë dhe është mjaft i integruar dhe aktiv në zhvillimet e gjithmbarëshme kulturore!;

–          Shkëmbimi i përvojave të shkrimtarëve, pavarësisht vendbanimit të tyre;

–          Ofrimi i shfaqjeve teatrore të një teatri të qytetit në të gjitha komunat e Kosovës, duke ia dhënë mundësinë shikuesit të shoh prodhimet teatrore, pavarësisht ku jeton dhe vepron;

–          Prezantimi i filmave të cilët shfaqen vetëm në Kino “ABC” të Prishtinës, bëhet pengesë në aspektin ekonomik për shumë artdashës gjithandej Kosovës. Shumë prej tyre gjinden në kushte të vështira ekonomike dhe kjo do t’u mundësonte atyre, të paktën në komunën e vendbanimit, të shihnin këta filma, me të vetmen pagesë: biletën e hyrjes;

–          Izolimi i përgjithshëm në krahasim me rajonin dhe botën, të paktën do të zëvendësohej me një integrim dhe kthim kah vetvetja, jo vetëm si mjet ngushëllimi, por si një mundësi tjetër e lëvizjes në këtë ‘rreth vicioz e të mbyllur provincial’;

–          Bashkëpunimi ndërkomunal në fushën e kulturës, përkatësisht artit në përgjithësi, do të mundësonte edhe nxitjen e lexuesit, spektatorit dhe artdashësve që të kishte njohje më të gjerë për krijuesit e Kosovës, duke ndikuar edhe në krijimin e klimës së komercializimit në shitjen e librave të këtyre autorëve, në shitjen e biletave dhe dhëniën e mundësisë së shfaqjeve teatrore në shumë komuna, qarkullimin më të madh vjetor financiar, në një treg më të madh se komuna apo qyteti përkatës i origjinës së krijuesve/artistëve;

–          Decentralizimi kulturor, në kuptimin e ofrimit të prodhimeve kulturore sa më pranë qytetarit, lexuesit dhe artdashësit. Kjo do të rikthente Prishtinën më shumë në kryeqytet administrativ si Vashingtoni, e jo si kryeqendër kulturore si Nju Jorku, apo si Varshava e Polonicë, e jo si Krakova.

Në vend të përmbylljes

Ekziston mendim i gabuar kur shkrimtari identifikohet vetëm me qytetin e tij, sepse shkrimtari që nuk kapërcen jo vetëm vendlindjen e tij, por edhe nëse nuk i kapërcen sot shijet e kombit të tij, nuk ka shpresë për të depërtuar në globalizmin kulturor. Mirëpo, ne po flasim për disa aspekte teknike të bashkëpunimit ndërkomunal, e veçmas në kushtet e vështira ekonomike të krijuesve tanë gjithandej Kosovës, rritjes së mediokriteteve kulturore sidomos brenda komunave veç e veç, izolimit të skajshëm, peripecive të poshtërimit duke vrapuar në ambasada nëse u ka ardhur rasti për të shkuar edhe njëherë në jetën e tyre në ndonjë ngjarje kulturore jashtë Kosovës dhe nuk u realizohet kjo dëshirë për shkak të sistemit të ashpër të vizave, qarkullimit më të madh vjetor të të hyrave financiare kur rritet klientela vendore në mbarë Kosovën për produktet kulturore të cilat mund të komercializohen, siç janë blerja e biletave për një shfaqje teatrore, një film, etj. Po ashtu, shkrimtarët shqiptarë të Kosovës, thuajse fare nuk kanë komunikim me shkrimtarët e etnive të tjera brenda për brenda Kosovës. Bie fjala, nëse një poet nga Graçanica boton një libër, a nuk do të ishte e rëndësishme që të njihet edhe nga lexuesit dhe poetët e tjerë gjithandej Kosovës dhe me origjinë nga etnitë e tjera të Kosovës?! Pra, kjo do të çmontonte sadopak këtë hermetizëm monokulturor dhe monoetnik.

Kosova Sot, 20 shtator 2014

Posted in Art, Film, kultura dhe arsimi, Kultura dhe Shoqëria, Kultura dhe Shteti, Teatër | Tagged , , , , | Leave a comment

KUSH ËSHTË SOT ANALFABET?!

Me shkas kulturën e analfabetizmit në Kosovë

Teksa po lexoja se në Kosovë ka akoma analfabetizëm në shkallë jo edhe të parëndësishme dhe gjersa po ndodhte fenomeni analog në internet me “hedhjen e kovës me ujë e akull”“bookchallenge”, nuk kishte se si të mos më shkonte mendja për të shkruar për transformimin e analfabetizmit në shekullin XXI, librin dhe rreth ndryshimit të kulturës dhe mjedisit për nxitjen e leximit në shtresat e gjera të shoqërisë. Analfabetët nuk janë sot vetëm që s’dinë shkrim e lexim, por edhe të tillë janë të gjithë ata e ato që nuk u kujtohen të paktën 10 libra për t’i ndarë me shokët e shoqet! Nuk ka asgjë të dëmshme dhe të pasinqertë nëse librat që i keni lexuar dhe nuk ju kujtohen saktësisht titujt e librave, t’ia hedhni klikimin me emra e mbiemra në makinën e kërkimit google.com dhe më pas t’i postoni 10 librat që të kanë lënë më shumë mbresa! Analfabetët sot janë sidomos sot ata/ato të cilët nuk dinë si ta kërkojnë informacionin. Kemi plot raste kur njerëzit të kërkojnë t’i ndihmosh për literaturë elementare dhe nuk ka sesi të mos shqetësohesh që edhe ju nuk i dini, por i gjeni me shpejtësi nëpër sajtet e ndryshme të librave online për lexim, në faqet zyrtare të institucioneve dhe instituteve vendore e ndërkombëtare, në dokumentarë të video-kanaleve në internet. Sot analfabetët janë ata që e ndërtojnë krejt mendimin mbi bazën e disa artikujve të lexuar, të cilët janë bombastikë vetëm në tituj, por që nuk kanë as material të shkruar e të mbështetur profesionalisht, duke u thirrur në burimet gjegjëse të rrjedhjes së informacionit. Sot analfabetët janë edhe ata që s’dinë shpejtë të dallojnë librat, sajtet, lokacionet dhe mediumet, të cilat ia vlen të lexohen dhe të mos humbet koha kot. Analfabetët e sotëm nuk janë vetëm me dhënien e gishtit, sepse shumë mjete tekniko-teknologjike, për ironinë tonë, janë bërë vetëm me skanimin e gishtit! Dikur ka qenë metaforë e përshtatshme për të përshkruar njerëzit analfabetë, duke thënë: “Paramendo, e jepte nënshkrimin me gisht, ose emrin dhe mbiemrin e vet nuk dinte ta shkruante, dhe detyrohej t’i vënte gjurmët e gishtit!” Nuk është më ky përshkrim valid dhe fare nuk përshkruan karakterstikat e analfabetit! Analfabet është sot edhe personi që nuk njeh si të fus kartelën në bankomat (me përjashtime kategorish!), kur nuk di të prezantojë minimalisht vetveten në intervistë te punëdhënësi dhe analfabet është edhe dikush që ka mbaruar studimet në nivel bachelor në ekonomi dhe të thotë se ka harruar çfarë është ‘deficiti’! Analfabet sot është edhe personi i cili ka mbaruar profesionin në shkencat politike dhe nuk ka një mendim të tij për të elaboruar vetëm konceptin demokraci, ndërsa në anën tjetër t’i numëron të gjithë lojëtarët të cilët ka shitur shërbimet e tyre sportive në ekipet e Ligës së Kampionëve! Disa analfabetë gjithnjë e më shumë po shtohen nën ndikimin e teknologjisë, sepse ndonëse kjo e fundit erdhi si mundësi për ta shfrytëzuar për edukim/lexim/informim/vetzhvillim/përvojë, na bëri qenie pasive, të cilët lexuakan tituj, shikuakan fotografi, por nuk marrin mundin të kuptojnë dhe përpunojnë informacione më të ndërlikuara që ndërtojnë dhe zhvillojnë profesionin, hobin dhe zhvilimin e potencialeve të tyre!

‘DALLIMI I LIBRAVE CILËSORË’ DHE ANALFABETIZMI

Nëse ju jeni duke u interesuar të njihni teorinë e evolucionit biologjik dhe lexoni libra nga “Harun Jahja”, si tekste të lidhura me një grup autorësh dhe seri të librave fetarë që interpretojnë me gjuhën e tyre evolucionin, selektimin natyral të krijesave e të ngjashme, ju jeni duke qenë analfabet i pavërejtur dhe i paidentifikuar si i tillë! Nuk mësohet evolucioni prej një grupi autorësh që krejt postulatet i marrin në religjionin e tyre dhe në anën tjetër shkencën ia përshtasin religjionit! Ju vetëm sa thelloheni në keqkuptimin e evolucionit, sepse që në start, ata autorë e kundërshtojnë evolucionin dhe nëse ju prisni që ata të japin faktet dhe fosilet e gjetura për verifikimin e tyre, ju gaboheni që në fillim të nisjes së leximit të librave të tillë! Ju nuk them të mos lexoni edhe libra të tillë, sepse kjo varet nga shija personale, besimet tuaja, e kështu me radhë, por po flasim për të dalluar librat e mirë e librat e këqij kur është fjala për temën e kërkuar: evolucionin! Ju këtë temë mund ta kërkoni edhe në mitologji, por po flasim për evolucionin shkencor! Nuk janë librat e tillë të këqij, por fakti se ju po e kërkoni evolucionin si teori, ta kuptoni përmes dikujt që është i përcaktuar monofetarisht në gjykimin ndaj kësaj teorie! Këta libra mund të ju mësojnë gjithçka mbi natyrën, botën, universin, evolucionin e njeriut, apo edhe të ketë fotografi shumë të relaksuara për syrin tonë, por këta libra vetëm të shtrembërojnë kuptimin real mbi evolucionin! Ju duhet sot që të mos jeni analfabet dhe të dini se ku të kërkoni informacionin! Juve u duhet të kuptuarit apo nëse vetëm keni kurreshtje për evolucionin, të lexoni libra të studiuesve të njohur që janë marrë vetëm me atë çështje, biologët e dëshmuar dhe të verifikuar nga institute dhe institucione! Kur dëgjoni lajmin se autori X ka marrë tituj, juve mos të ju hipnotizojë titulli, por shihne pak se a ka kredibilitet institucioni që e ka dhënë këtë titull! Është e vështirë t’i tirrni gjërat edhe aq hollë, por të paktën po flasim për disa principe që të ruajnë nga të qenit analfabet dhe të përpiqeni bile pak në përzgjedhje më të duhur!

ANALFABET, NËSE S’LEXONI VAZHDIMISHT!

Varet nga profesioni apo zanati, sepse ka shumë prej tyre të cilat kanë nevojë për t’i praktikuar dhe jetësuar ato, pa nevojën direkte të leximit, por po flasim për shumë profesione të shkencave sociale, natyrore, e kështu me radhë, të cilat na duhet përkushtim maksimal në lexim sistematik. Mbetesh analfabet edhe nëse e ndalë leximin me marrjen e një diploma dhe kur ju kërkohet diçka krejt logjike apo themelore, pa mekanicitet, nga drejtimi juaj, thoni: “S’mu kujtojka se moti e kam lexuar”! Ju e morët vizën për në treg dhe tash fillon leximi i vërtetë! Jeni analfabet nëse prisni se shumë shpejtë do të zbulohet usb-ja që vendoset në kokë dhe sa herë që na duhet diçka, ne vetëm e klikojmë sustën dhe na rrjedh informacioni! Nuk është nevoja e leximit vetëm për të ditur një informacion kur të na kërkohet (leximi nuk lidhet vetëm me kuize diturie!), por edhe kur s’na kërkohet, sepse na nxit imagjinatën dhe kreativitetin tonë në fushën në të cilën jemi më të angazhuar, pavarësisht që nuk lidhet direkt me atë që e kemi kërkuar! Analfabetizmi sot është të mos ndjekësh si studiues, si profesor e mësimdhënës, informacionet e reja, të mos jesh në rrjedha të zhvillimeve të fushës tënde! Nuk ka më dije të ngurtë, gjërat janë shumë në lëvizje! Na duhet ta ndjekim këtë ritëm dhe të dijmë edhe të përshtatemi e ta ndryshojmë më pas atë në funksion të nevojave tona të rritjes dhe zhvillimit, por edhe kontributit për zhvillim të shoqërisë e njerëzimit!

ANALFABETIZMI NDAJ LIBRAVE TË MIRË

Analfabetët janë sot edhe lexuesit që kapen për ndonjë libri, i cili vetëm i mbyllë në sekte! Ai/ajo ‘këputet’ i/e gjori/a duke lexuar, por lexon mbrapsht dhe lexon libra të cilat ia mbyllin dritaret e njohjes, duke e bërë me përkatësi të ngushtë sektare! Librat e mirë të nxisin pasionin për të lexuar universalisht, e jo partikularisht! Librat e mirë ta pasurojnë imagjinatën, se ajo nuk mund të jetë e pasur pa u lidhur me të menduarit mbi ato që lexojmë, shohim, prekim dhe provojmë! Librat e mirë janë të shkruar me gjuhë të pasur, fond të fjalëve adekuate dhe përzgjedhje të fjalëve. Librat e mirë s’të mundojnë dhe nuk të dëbojnë nga dëshira për të lexuar! Librat e mirë të ushqejnë leximin e librave të tjerë! Librat e mirë të thërrasin të lexosh edhe autorët e tjerë dhe nuk të mbysin në narcizmin e tyre! Librat e mirë janë ata që s’i bie pishman që i ke lexuar! Librat e mirë shkencorë janë të shkruara me fakte, me hulumtime, të renditura dhe të sistemuara në mënyrë të duhur, me kritere të shkencës bashkëkohore, por jo edhe me marrje citimesh prej atij libri e librit tjetër, ndërsa janë të vendosura krejt jashtë kontekstit! Janë të vendosura sall pa ndonjë kriter dhe paragrafët nuk kanë lidhje logjike e koherente me njëri-tjetrin! Librat e mirë janë të shkruar nga njerëzit kompetentë, profesionistë apo të lidhur direkt me fushën e caktuar! Jeni analfabet nëse sot nuk ndani profesionistin prej amatorit! Jeni analfabet sot nëse dëshironi të shkruani mbi një temë dhe nuk shihni se kush ka shkruar më herët rreth saj, e ju të pretendoni se keni shpikur gjëra të reja, keni gjetur gjëra që ishin shumë më moti, para jush dhe ju të fantazoni se ato që keni shkruar ju, janë fillimi i ri! Sot ka shumë më shumë nevojë të mendoni para se të shkruani, sepse përndryshe jeni analfabet, ngase mendoni që keni zbuluar rryma të reja të filozofisë, religjionit, artit, e tjerë e tjerë, ndërsa ato janë kaluar para shumë shekujve! Ju keni të drejtë t’i rivizitoni ato rryma të vjetra e t’i riktheheni, por jo ta ndërlidhni emrin tuaj me themelimin e tyre, sepse ato tashmë kanë themeluesit, kanë patentën e mbrojtjes së të drejtës së autorit dhe kanë shpikës! Madje, hiç mos harro se shumë dashamirës të fjalëkryqeve dhe kuizeve të diturisë, kur u është kërkuar emri i shpikësit në mënyrë vertikale apo horizontale, e kanë shkruar atë dhe mos u zemëroni nëse nuk e gjeni emrin tuaj! As mos ia fusni X, duke e shkarravitur, sepse emri është i saktë, por ju jeni analfabetë që keni kujtuar se ju e kishit shpikur rrotën apo makinën me avull! Ju jeni analfabetë nëse kujtoni se librat e mirë nuk definohen sipas shijes personale, botëkuptimeve/interesimeve/motiveve/profesionit/hobit/nevojave të ndryshme të lexuesve. Librat e mirë varen edhe nga gjendja emocionale e individit dhe kërkesat e jashtme! Kur jeni duke lexuar libra nga detyrimi për provimet e universitetit, jeni analfabet nëse mendoni se ju jeni duke lexuar libra! Në fakt, ju nuk jeni duke lexuar libra, por duke i kryer studimet e më pas bëheni lexues! Jeni analfabet edhe nëse mendoni se sot nuk ka libra të këqij! Po sot ka shumë libra të këqij dhe është mëkat të ju ikin librat cilësorë! Jeni analfabet nëse nuk e kuptoni se shprehja: “nuk ka libra të këqij”, vlente më shumë në kohën kur nuk kishim libra në gjuhën shqipe, kur frikësoheshin baballarët tanë të lexonin dhe duhej të shfletonin ilegalisht! Sot ka aq shumë libra! Sot analfabeti më i madh është lexuesi që nuk edukohet dhe nuk e kultivon përzgjedhjen sa më të duhur!

Kosova Sot, 13 shtator 2014

Posted in Art, kultura dhe arsimi | Tagged , , , | Leave a comment